E Martë, 3 Nëntor 2026

BERLIN – Merz mbështet planet e emigracionit pas pengesës ligjore për të kthyer azilkërkuesit

BERLIN, 3 qershor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz mbështeti sot përpjekjet e qeverisë së tij për të kthyer mbrapsht azilkërkuesit në kufijtë e vendit, një ditë pasi një gjykatë bllokoi këtë masë.

Vendimi urgjent nga Gjykata Administrative e Berlinit ishte një pengesë për Merz, i cili është zotuar të godasë emigracionin e parregullt.

Merz tha në Berlin se vendimi mund të ngushtojë hapësirën e manovrimit të administratës së tij.

Kancelari gjerman, i cili mori detyrën muajin e kaluar, tha se qeveria do ta bënte këtë brenda kuadrit të ligjit ekzistues evropian.

“Ne do ta bëjmë këtë për të mbrojtur sigurinë dhe rendin publik në vendin tonë dhe për të parandaluar mbingarkesën e qyteteve dhe komunave”, tha ai.

“Derisa situata në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian të përmirësohet ndjeshëm me ndihmën e rregullave të reja të përbashkëta evropiane, Gjermania do të duhet të vendosë kontrolle në kufijtë e brendshëm”, tha Merz.

Menjëherë pasi mori detyrën muajin e kaluar, ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt urdhëroi policinë të rriste kontrollet kufitare dhe të kthente mbrapsht emigrantët e parregullt, edhe nëse ata aplikonin për azil. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›