KOMENT – Tusk cakton votëbesimin ndaj qeverisë më 11 qershor ndërsa vendi përballet me realitetin e ri politik

VARSHAVË, 3 qershor /ATSH/- Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk tha sot se parlamenti do të mbajë një votëbesim për qeverinë e tij më 11 qershor, ndërsa vendi përballet me një realitet të ri politik, sipas AP.
Tusk bëri thirrje për votim pasi aleati i tij politik, kryetari liberal i Varshavës, humbi zgjedhjet presidenciale të Polonisë në fundjavë kundrejt konservatorit Karol Nawrocki.
“Po e fillojmë seancën në një realitet të ri politik”, tha Tusk, në fillim të mbledhjes së kabinetit në Varshavë.
“Realiteti politik është i ri, sepse kemi një president të ri. Por kushtetuta, detyrimet tona dhe pritjet e qytetarëve nuk kanë ndryshuar. Në Poloni, qeveria qeveris, gjë që është një detyrim dhe nder i madh”, tha Tusk.
Qeveria e Tusk drejton shumicën e çështjeve të përditshme në Poloni.
Ajo gjithashtu ekziston veçmas nga presidenca, por presidenti ka fuqinë për të vënë veton ndaj ligjeve dhe për të ndikuar në politikën e jashtme – dhe fitorja e Nawrocki do ta bëjë jashtëzakonisht të vështirë për Tusk të avancojë me axhendën e tij pro-evropiane.
Tashmë ka pikëpyetje nëse koalicioni i Tusk mund të mbijetojë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të planifikuara në fund të vitit 2027. Disa nga kundërshtarët e tij politikë po bëjnë thirrje që ai të japë dorëheqjen.
Vendimi për të thirrur një votëbesim është me sa duket një përpjekje e Tusk për të rivendosur autoritetin në një situatë politike në ndryshim – ku disa nga partnerët e tij të koalicionit mund të kenë më pak gjasa për të qëndruar me të.
Tusk mbikëqyr një koalicion prej disa partish. Koalicioni i ndarë nuk ka arritur të bjerë dakord për disa çështje dhe qeveria nuk ka arritur të përmbushë disa nga premtimet kryesore të Tusk, duke përfshirë liberalizimin e ligjit kufizues të abortit.
Nawrocki – i cili u mbështet nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, fitoi 50,89% të votave në një garë të ngushtë kundër kryetarit të Bashkisë së Varshavës, Rafal Trzaskowski, i cili mori 49,11% të votave.
Zgjedhjet zbuluan përçarje të thella në vend përgjatë krahut lindor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Nawrocki, i cili pritet të marrë detyrën më 6 gusht, pritet të formësojë politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit – në mënyra që mund të tendosin lidhjet me Brukselin – duke e afruar më shumë vendin e Evropës Qendrore me gati 38 milionë banorë me administratën Trump.
Nawrocki do të zëvendësojë Duda, mandati i dytë 5-vjeçar i të cilit përfundon më 6 gusht. Kushtetuta polake i kufizon presidentët në dy mandate.
Duda e ka ftuar Nawrocki në një takim sot në mbrëmje për të ndarë përvojat e tij, kryesisht në fushën e politikës së sigurisë dhe politikës ndërkombëtare. //a.i/