E Martë, 3 Nëntor 2026

BERLIN – Ministri i Jashtëm gjerman do të diskutojë me SHBA-në sanksionet kundër Rusisë

BERLIN, 2 qershor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha sot se mbështetet në sanksione më të ashpra të SHBA-së për të ushtruar presion mbi Rusinë, së bashku me përpjekjet e koordinuara të BE-së, në bisedime serioze për armëpushim me Ukrainën.

Wadephul do të takohet sot me senatorin amerikan Lindsey Graham në Berlin – për të folur për sanksione të mëtejshme.

Graham, së bashku me senatorin demokrat Richard Blumenthal ka hartuar një paketë të gjerë sanksionesh me mbështetje të fortë dypartiake në Senat.

Projektligji përfshin sanksione dytësore që synojnë palët e treta që bëjnë biznes me Rusinë. Graham shpreson për një votim të paketës së sanksioneve në Senat – deri në mesin e qershorit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nuk pranoi të thoshte të premten, nëse e mbështeste iniciativën – me shumë gjasa për t’i mbajtur opsionet e tij të hapura me presidentin rus, Vladimir Putin.

Wadephul tha gjithashtu se Bashkimi Evropian po punonte për shtrëngimin e sanksioneve të veta – duke përfshirë një kufizim më të ulët të çmimit të naftës.

Kjo do të zvogëlonte të ardhurat nga nafta, e cila është mënyra se si Rusia financon veten, tha ai, duke shtuar se masat e BE-së së shpejti mund të shtrihen edhe në eksportet e gazit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›