E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BERLIN – Ukraina mbështetet në furnizime të reja me armë nga Gjermania, ndërsa udhëheqësit takohen në Kiev

BERLIN, 10 maj /ATSH-DPA/ – Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksii Makeiev, shpreson që kancelari Friedrich Merz të angazhohet për të dërguar dërgesa të reja armësh gjermane në vendin e përfshirë nga lufta gjatë vizitës së tij sot në Kiev.

“Jam i sigurt për këtë”, tha sot ambasadori ukrainas.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministri polak Donald Tusk mbërritën sot në kryeqytetin e Ukrainës.

Qeveria e re e udhëhequr nga konservatorët në Berlin synon t’i mbajë kryesisht të fshehta dërgesat e armëve gjermane në Ukrainë.

“Qëllimi kryesor është t’i mohohen avantazhet ushtarake agresorit në luftën e Ukrainës”, tha një burim qeveritar dje në mbrëmje.

Merz, Macron, Starmer dhe Tusk u takuan sot në mëngjes me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky – për të theksuar mbështetjen e tyre për Kievin dhe për të nxitur një armëpushim 30-ditor pa kushte në konfliktin me Rusinë.

Makeiev përsëriti se ndryshe nga Moska, Kievi ishte gati për një pauzë të tillë në luftime, e cila fillimisht u propozua nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

“Shpresojmë shumë që do të hyjmë në këto negociata”, tha ai, duke shprehur besimin se marrëdhëniet gjermano-ukrainase do të zgjeroheshin më tej.

“Ndjej se partneriteti gjermano-ukrainas me qeverinë e re federale, do të ngrihet në një nivel krejt të ri”, shtoi ai.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kiev, udhëheqësit evropianë do të përkujtojnë gjithashtu viktimat e pushtimit të plotë rus që nisi në shkurt të vitit 2022. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›