Moskonstituimi i Kuvendit, Kurti: Albulena Haxhiu propozimi ynë, opozita bllokadë të panevojshme

PRISHTINË, 10 maj/ATSH/- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje Brukselit që ta bëjë planin për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në Bashkimin Evropian pa Serbinë.
Kurti tha në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, se regjimi autoritar në Serbia po e lë popullin e saj mbrapa.
“Serbia e ka qartësuar orientimin e saj së fundmi, madje edhe për ata që duan t’i mbyllin sytë. Qifti Putin-Kirin në Moskë, e ka miniaturën e saj në Beograd te çifti Vuçiç”, tha ai.
Ai pati edhe një thirrje për Brukselin. “Ne jemi më të fortë se kurrë por na duhet ta pranojmë që ne po e pësojmë më së shumti në rrugën e integrimeve nga Serbia dhe ky pësim nuk është i kufizuar vetëm te ne por i gjithë rajoni, andaj i bëjmë thirrje Brukselit, si kryeqytet perëndimor e demokratik, i Bashkimit Evropian e i NATO-s, që ta bëjë planin për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, komplet në NATO dhe në Bashkimin Evropian pa Serbinë. Pra gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, minus Serbia”, tha ai.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje u ndal edhe në situatën aktuale politike duke u shprehur se në Kosovë nuk ka krizë institucionale e as politike. Ai theksoi se ka një vakum kushtetues, të cilin sipas tij, nuk do të duhej ta kishim marrë vesh fare.
Kurti tha se LVV-ja nuk ka bllokuar konstituimin e Kuvendit sepse kanë propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Sipas tij, bllokimi vjen prej atyre që votojnë kundër ose nuk votojnë fare.
“Edhe njëherë Albulena Haxhiu është propozimi ynë për kryetare të Kuvendi…Opozita po krijon bllokadë të panevojshme që ndoshta dëshiron të krijojë imazhin e një Kosove në krizë. Ne nuk po i kërkojmë opozitës ta votojë qeverinë, por kryetaren e kuvendit”, tha Kurti.
/Kosovapress/