BERZH, 1 milion euro për ndërmarrjet në vend
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vend kanë marrë përkrahjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përmes një huaje 1 milion euro. Synimi është që të mbështetet ekonomia reale në sektorin leasing (qirasë financiare) dhe kjo hua i është drejtuar Landslease, që operon në Shqipëri që prej vitit 2005. Shoqëria po përqendrohet kryesisht në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ka eksperienca të shkuara në leasing për automjetet, pajisjet dhe makineritë. Linja e kredisë së BERZH-it ka si objektiv ndihmën për Landeslease në zgjerimin e bazave të saj të financimit dhe do të mbështesë shoqërinë në aktivitetin e saj, për të siguruar mjete financuese më të arsyeshme për NVM-të në Shqipëri. "Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, BERZH po ndihmon Landeslease të zgjerojë portofolin e saj për leasing dhe të përmirësojë mundësinë e financimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri", u shpreh Daniel Berg, Drejtor i Zyrës së BERZH-it në Tiranë. Ndërkohë që drejtori i Landeslease, Altin Saliasi e ka konsideruar këtë hua të BERZH si një nxitje për zhvillim të strategjive dhe zgjidhje financiare për ndërmarrjet që prek.