Iu hoq licenca për sytë e publikut, por më pas fitoi edhe tender 2 milionë euro te qeveria

Iu hoq licenca pas dhunës në Zvërnec, “Myrto Security” fiton tenderin 2 milionë euro të OSSH-së
Kompania private e sigurisë “Myrto Security”, së cilës Policia e Shtetit i hoqi licencën në qershor 2026, pas incidentit të dhunshëm në Zvërnec ku një qytetar u tërhoq zvarrë për më shumë se 100 metra, rezulton fituese e një tenderi me vlerë rreth 2 milionë euro të OSSH-së në Elbasan, raportoi boldnews.
Sipas Boldnews.al, pak ditë më parë është njoftuar lidhja e kontratës me bashkimin e operatorëve “Juer Security” dhe “Myrto Security”, për ruajtjen fizike të ndërtesave, aseteve dhe personelit të OSSH-së dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal në Elbasan.
Tenderi, i shpallur në gusht 2026, kishte një fond limit prej 184.7 milionë lekësh, ose rreth 1.99 milionë euro. Një nga kriteret kryesore të kualifikimit ishte pajisja me licencën 1.3 A, e cila u ishte hequr “Myrto Security” dhe “Major Security” me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë më 1 qershor 2026.
Sponsorizuar
Vendimi erdhi pas ngjarjeve të 30 majit në Zvërnec, ku gjatë protestës kundër projektit turistik, punonjës të sigurisë private u përplasën me qytetarët. Episodi më i rëndë ishte tërheqja zvarrë e protestuesit Eduard Subashi.
Policia konstatoi shkelje në ushtrimin e aktivitetit nga kompania, përfshirë mungesën e masave të sigurisë dhe mosadministrimin e listave të personave që lejoheshin të hynin në objekt. Megjithatë, sipas Boldnews.al, vetëm dy muaj pas heqjes së licencës, “Myrto Security” u bë pjesë e një bashkimi operatorësh që fitoi tenderin e OSSH-së, duke deklaruar se dispononte licencën përkatëse. a.b