E Diel, 1 Nëntor 2026

BKH hap konkursin për 40 hetues të rinj, aplikimet deri më 14 shtator

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ – Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka shpallur procedurën e konkurrimit të hapur për rekrutimin e 40 hetuesve në profilin e përgjithshëm.

Sipas njoftimit zyrtar, konkurrimi do të jetë i hapur, transparent dhe i bazuar në meritë, integritet, aftësi profesionale e fizike, aftësi komunikimi dhe standarde të larta etike. Hetuesit do të ushtrojnë detyrën në selinë e BKH-së në Tiranë dhe, sipas nevojave të hetimit, në të gjithë territorin e vendit.

Kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë, të kenë arsim të lartë policor, juridik, në kontabilitet ose në degë të tjera që lidhen me misionin e BKH-së, si dhe më shumë se një vit përvojë pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në fusha të lidhura me veprimtarinë e BKH-së. Ata duhet gjithashtu të plotësojnë kushtet e integritetit, sigurisë, pasurisë dhe figurës dhe të kalojnë me sukses të gjitha fazat e përzgjedhjes.

BKH veçon si fusha me interes hetimin penal dhe veprimtarinë operacionale, korrupsionin dhe krimin e organizuar, hetimin financiar e pasuror, krimin kibernetik dhe provat digjitale, telekomunikacionin dhe sistemet teknike, analizën e të dhënave dhe inteligjencën kriminale, si dhe fushat juridike e bashkëpunimin ndërinstitucional e ndërkombëtar.

Procedura e konkurrimit përfshin testin konjitiv, testimin e aftësive fizike, testin e zgjeruar me shkrim, intervistën e strukturuar, renditjen paraprake, poligrafin, verifikimin e pasurisë, figurës dhe sigurisë, kontrollin mjekësor e psikologjik, renditjen përfundimtare, trajnimin dhe emërimin. Fazat e pikëzuara kanë një total maksimal prej 106 pikësh.
Njoftimi përcakton se poligrafi, verifikimi i pasurisë, figurës dhe sigurisë, kontrolli mjekësor e psikologjik dhe trajnimi nuk pikëzohen, por janë të detyrueshme. Marrja e zeros në një nga komponentët e testimit fizik sjell skualifikimin e kandidatit.

Aplikimi duhet të bëhet elektronikisht dhe me postë. Dokumentacioni elektronik dërgohet në adresën bkh.aplikim@spak.gov.al, ndërsa kopja fizike në adresën e BKH-së, në rrugën “Jordan Misja”, nr. 1, Tiranë. Afati i aplikimit është 14 shtator 2026, ora 16:00.

Pozicioni i hetuesit të BKH-së ka statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. Pas përfundimit të trajnimit dhe emërimit, hetuesi shërben për një periudhë jo më pak se shtatë vjet pranë BKH-së, përveç rasteve të shkarkimit të parashikuara nga ligji.

SHPALLJE PUBLIKE PËR REKRUTIMIN E 40 (DYZET) HETUESVE TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›