E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – Laburistët kërkojnë njohjen dhe parandalimin e gjenocidit në Gaza

LONDËR, 29 shtator /ATSH – DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer ka pësuar një goditje në konferencën e Partisë Laburiste, pasi aktivistët kërkuan që qeveria të veprojë për të parandaluar “kryerjen e një gjenocidi në Gaza”.

Sindikalistët e “Unison” paraqitën sot një mocion urgjent, i cili kërkon gjithashtu që udhëheqja laburiste në Westminster të “ndalojë tregtinë me vendbanimet e paligjshme në Bregun e pushtuar  Perëndimor” dhe të vendosë “sanksione gjithëpërfshirëse”, përfshirë një “embargo të plotë armësh ndaj Izraelit”.

Zëvendëskryeministri David Lammy tha se “renditja ndërkombëtare e bazuar në rregulla”, në të cilën ai beson, nënkupton që gjykatat, dhe jo politikanët, janë ato që duhet të vendosin nëse po ndodh një gjenocid.

“Ky është gjenocid”, tha sekretarja e përgjithshme e “Unison”, Christina McAnea, duke paraqitur mocionin.  “Por nëse presim që kjo të konfirmohet nga një gjykatë, do të jetë shumë vonë, sepse po ndodh tashmë, ndërsa ne jemi këtu”.

Një mocion tjetër urgjent me të njëjtin titull, “Paqe në Lindjen e Mesme”, i paraqitur nga dega e Partisë Laburiste në Hackney North dhe Stoke Newington, nuk u miratua.

Në mocion kërkohej që qeveria të “pezullojë plotësisht tregtinë e armëve me Izraelin që mund të përdoren në konflikt”, duke iu referuar vendimit të vitit të kaluar të Ministrisë së Jashtme britanike për të pezulluar rreth 30 licenca për dërgesa pajisjesh ushtarake për Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

Në mocion gjithashtu kërkohej që qeveria të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të siguruar një armëpushim të menjëhershëm, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe lejimin pa pengesa të ndihmës humanitare”. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›