SHBA – Trump: Hamasi të pranojë planin e paqes në Gaza

UASHINGTON, 29 shtator /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot se “është momenti” që Hamasi të bjerë dakord për planin e propozuar të paqes, ndërsa lideri i SHBA-së përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje shumëplanëshe – për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të filluar rindërtimin e rajonit, sipas CNN.
“Është koha që Hamasi të pranojë kushtet e planit që kemi paraqitur sot”, tha Trump, duke shtuar se mund të ketë nje gatishmëri nga ana e Hamasit, pas disa muajsh luftimesh.
“Ky është një Hamas i ndryshëm nga ai me të cilin po merreshim, sepse janë vrarë mbi 20,000 njerëz”, tha Trump.
“Udhëheqja e tyre është vrarë tre herë, kështu që në të vërtetë po merremi me njerëz të ndryshëm nga ata me të cilët kemi pasur të bëjmë gjatë katër viteve, pesë viteve të fundit”, shtoi ai.
Trump pretendoi se Izraeli dhe aleatët e tjerë rajonalë kanë rënë dakord me propozimin e tij prej 20 pikash, por ata do të duhet të bindin Hamasin që ta nënshkruajë marrëveshjen.
Më herër, ai paralajmëroi se nëse Hamasi e refuzonte marrëveshjen, SHBA-ja do të mbështeste ndërhyrjen e vazhdueshme të Izraelit në Gaza.
“Nëse Hamasi e refuzon marrëveshjen, e cila është gjithmonë e mundur, ata janë të vetmit që kanë mbetur,” tha Trump, duke iu drejtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
“Por nëse jo, siç e dini Bibi, do të keni mbështetje të plotë për të bërë atë që do të duhej të bënit”, tha Trump. //a.i/