BM – Lammy: Putin të angazhohet seriozisht në bisedimet e paqes

LONDËR, 12 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin duhet ta marrë seriozisht angazhimin në bisedimet e paqes, deklaroi sot sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy.
Ai përgëzoi presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky për “gatishmërinë e tij për t’u angazhuar në bisedime”, ndërsa ministrat e Jashtëm evropianë u mblodhën në Londër për diskutime rreth sigurisë së kontinentit.
Zelensky e ka sfiduar homologun e tij rus që të takohet ballë për ballë për negociata për t’i dhënë fund luftës në vendin e tij, të enjten në Turqi.
Putin përballet me sfidën pasi tha se donte të zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta me Kievin.
Duke i kërkuar udhëheqësit rus të ulet në tryezën e bisedimeve, Lammy theksoi se “kjo është koha që Vladimir Putin të marrë seriozisht paqen në Evropë, të marrë seriozisht një armëpushim dhe të marrë seriozisht bisedimet”.
Lammy pritet të njoftojë sanksione të mëtejshme që synojnë ata që mbështesin Moskën, në takimin e grupit Weimar+, vetëm disa ditë pasi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer paralajmëroi për veprime të mëtejshme nëse Rusia nuk angazhohet për paqe.
Starmer udhëtoi për në Kiev të shtunën së bashku me homologët e tij francezë, gjermanë dhe polakë për bisedime me Zelenskyn./ /os/