Gjetjet e OSBE/ODIHR për 11 majin: Ditë zgjedhore e qetë, SPAK rol pozitiv në hetimin e korrupsionit zgjedhor

TIRANË, 12 maj/ATSH-Maela Marini/ Farah Karimi, Koordinatorja Speciale dhe drejtuesja e vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së prezantoi sot gjetjet e këtij misioni mbi zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në Shqipëri.
Në një konferencë për mediet të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Karimi vlerësoi zgjedhjet ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale.
“Megjithatë ato ndodhën në një klimë tejet të polarizuar dhe kandidatët nuk patën mundësi të barabarta. Megjithatë kandidatët përgjithësisht patën mundësi të bënin fushatë në mënyrë të lirshme megjithëse disa prej tyre raportuan se kishin pasur raste intimidimi”, tha ajo.
Po ashtu, ajo vlerësoi se administrata zgjedhore e administroi procesin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.
Karimi vlerësoi posaçërisht rolin e SPAK në hetimin e krimeve zgjedhore.
“SPAK luajti një rol pozitiv në hetimin e korrupsionit zgjedhor, ashtu sikurse edhe mekanizmi i ri koordinues mes KQZ-së, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme mundësoi një shkëmbim më të mirë informacioni”, tha Karimi.
“Votimi nga jashtë vendit i futur për herë të parë në Shqipëri në këto zgjedhje u menaxhua mirë, pavarësisht marrëveshjes politike të arritur me vonesë dhe miratimit me vonesë të kësaj iniciative”, tha ajo.
Sipas saj “kjo pati edhe një efekt të mundshëm frenimi”.
Ndërsa evidentoi faljen e shumë gjobave dhe zbatimin shumë afër zgjedhjeve të disa vendimeve për përfitime sociale, Karimi u shpreh se “kur shohim këto çështje më lejoni të theksoj se është mirë të kemi një kuadër zgjedhor, të kemi kapacitete institucionale që mundësojnë organizimin e mirë të zgjedhjeve”.
Duke folur për fushatën zgjedhore, Koordinatorja Speciale dhe drejtuesja e vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së u shpreh se “qytetarëve nuk iu dha shansi të dëgjonin një shkëmbim të sinqertë të ideve politike”.
“Fushata u fokusua në sulme armiqësore personale sidomos nga drejtuesit politikë”, tha ajo.
Karimi u shpreh po ashtu se vendi ka nevojë për politikë të ndershme jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, por çdo ditë. “Populli shqiptar e bëri këtë ditë zgjedhore të qetë. Populli shqiptar tregoi angazhim të fortë ndaj demokracisë në një klimë tejet të polarizuar dhe të vështirë. Ata gjithsesi dolën morën pjesë dhe bënë që zëri i tyre të dëgjohej. Nga votuesit që votuan për herë të parë, te votuesit nga jashtë dhe deri te vëzhguesit që e bënë detyrën e tyre me profesionalizëm. Ata janë zemra e procesit”, tha ajo.
Karimi siguroi se OSBE është e gatshme të punojë ngushtësisht me parlamentin që do të zgjidhet dhe me forcat politike.
Konferenca e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR për 11 majin, foto: Agim Dobi 1 nga 10/j.p/r.e/