BM – Starmer mbron arritjet e qeverisë në vitin e parë në detyrë

LONDËR, 1 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer ka mbrojtur arritjet e qeverisë së tij në vitin e parë në detyrë, ndërsa përballet me revoltën më të madhe të presidencës së tij.
Starmer këmbënguli në një takim të ministrave të lartë që ekipi i tij të mund të shikojë prapa me një “ndjenjë të vërtetë krenarie dhe suksesi” ndërsa afrohet përvjetori i 5 korrikut të vitit të tij të parë në detyrë.
‘’Puna e qeverisë është përqendruar në dhënien e punëtorëve mundësisë për të lulëzuar, jo vetëm për të mbijetuar’’, tha një zëdhënës i Starmer, ndërsa deputetët laburistë vazhdojnë të kërcënojnë me një revoltë mbi reformat e mirëqenies që ata thonë se do të ndikojnë negativisht tek personat me aftësi të kufizuara.
Projektligji për reformën e mirëqenies do të paraqitet në Dhomën e Komuneve për herë të parë të martën, me disa deputetë laburistë që vazhdojnë të thonë se do të votojnë për të bllokuar miratimin e tij pasi një revoltë shumë më e madhe u shtyp nga ministrat javën e kaluar.
Starmer hapi mbledhjen e kabinetit të martën në mëngjes, duke u thënë ministrave të lartë se ‘’reformat e mirëqenies ishin të dizajnuara për të ndihmuar ata që mund të punojnë të gjejnë punë dhe për të siguruar dinjitet dhe siguri për ata që nuk munden’’.
“Ai më pas reflektoi mbi vitin e kaluar në detyrë, duke thënë se të gjithë me të drejtë mund të shikojmë prapa me një ndjenjë të vërtetë krenarie dhe suksesi”, shtoi zëdhënësi.
Zyra e Starmer në Downing Street theksoi tre marrëveshje tregtare me Indinë, SHBA-në dhe BE-në, investime shtesë në rishikimin e shpenzimeve dhe një ulje të listave të pritjes së NHS si ndër arritjet e qeverisë një vit më pas./ /os/