E Martë, 3 Nëntor 2026

Manastirliu: Shkolla verore, hapësirë argëtimi përmbi një mijë fëmijë

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka falënderuar mësuesit, punonjësit psiko-sociale dhe oficerët e sigurisë që u angazhuan për një periudhë dyjavore në projektin pilot të shkollave verore në 10 shkolla në Tiranë, Kamzë dhe Durrës.

Manastirliu tha se “mbi 150 mësues, punonjës psiko-socialë dhe oficerë të sigurisë e kthyen shkollën verore në një hapësirë argëtimi e kujdesi përmbi një mijë fëmijë në të gjithë vendin që me shumë dëshirë u bënë pjesë e këtij programi të ri”.

Ministrja Manastirliu i falënderoi të gjithë ata për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në këtë projekt.

Shkolla verore u zhvillua çdo ditë nga ora 08:00 deri në 13:00 për një periudhë dyjavore në secilën shkollë. Gjatë kësaj kohe, fëmijët morën pjesë në një sërë aktivitetesh si: art dhe zeje, mësim i gjuhëve të huaja, kodim, sport, lojëra kreative, projekte STEM, diskutime mbi libra dhe biseda me të ftuar nga fusha të ndryshme të jetës publike e sociale. Veçanti e programit ishte edhe ofrimi i vakteve ushqimore të shëndetshme për të gjithë nxënësit.

Shkolla verore është pjesë e një plani më të gjerë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të nxitur përfshirjen sociale dhe zhvillimin e fëmijëve, si edhe një projekt që po pilotohet për të parë mundësinë për ta shtrirë në vitet e ardhshme edhe në shkolla të tjera.

Nga projekti pilot i shkollave verorë në Tiranë, Kamzë dhe Durrës 1 nga 16

/e.i//r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›