BOTËRORI 2026 -“Mos u tregoni të rregullt vetëm në publik, por edhe në jetën familjare”: Fraza që ndezi debat për tifozët japonezë

TIRANË, 19 qershor /ATSH/- Një valë diskutimesh është hapur në Japoni pas publikimit të fotove, ku tifozë japonezë shihen duke pastruar stadiumin pas ndeshjeve të Kupës së Botës – një sjellje që prej vitesh është vlerësuar ndërkombëtarisht, si një shembull i kulturës së rregullit dhe pastërtisë, shkruan BBC.
Por këtë herë, reagimet nuk kanë qenë vetëm vlerësuese. Në rrjetet sociale, disa gra dhe përdorues të tjerë, kanë ngritur një debat social mbi atë që e quajnë “standard i dyfishtë”.
Sipas tyre, ndërsa burrat japonezë tregohen të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në hapësirat publike, në shtëpi nuk ndajnë në mënyrë të barabartë punët e përditshme, duke ia lënë shpesh barrën kryesore, bashkëshorteve të tyre.
Kjo është edhe arsyeja pse është përhapur shprehja: “Bëjeni edhe në shtëpi”, që në thelb nuk lidhet me pastrimin e stadiumeve, por është një kritikë sociale që nënkupton: “Nëse tregoheni të rregullt dhe të përgjegjshëm në publik, duhet të jeni të tillë edhe në jetën familjare”.
Debati u ndez edhe më shumë nga një postim viral në platformën X, ku një imazh krahasonte një burrë që mbledh mbeturina në stadium, me të njëjtin person në shtëpi, i relaksuar ndërsa gruaja merrej me punët e shtëpisë.
Sipas të dhënave të OECD-së, gratë në Japoni shpenzojnë mesatarisht mbi tre orë në ditë në punë të papaguar shtëpiake, ndërsa burrat vetëm rreth 47 minuta – një diferencë që bëhet edhe më e madhe, në familjet me fëmijë të vegjël.
Megjithatë, jo të gjithë e mbështesin këtë kritikë. Shumë përdorues argumentojnë se sjellja e tifozëve japonezë në stadiume, duhet të vlerësohet si shembull pozitiv dhe jo të lidhet me jetën familjare.
Ndërkohë, praktika e pastrimit nga tifozët japonezë, ka frymëzuar edhe tifozë të vendeve të tjera, përfshirë portugezët, të cilët janë parë gjithashtu duke mbledhur mbeturinat pas ndeshjeve. / /a.i/