E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Costa mbron kontaktet diplomatike me Rusinë

BRUKSEL, 19 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, mbrojti përpjekjet e tij për të krijuar kanale komunikimi me Kremlinin, pasi kjo lëvizje u prit me reagime të ndryshme brenda Bashkimit Evropian.

“Ne nuk mund të varemi vetëm nga të tjerët për të interpretuar mesazhet ruse dhe duhet të jemi në gjendje t’i përcjellim drejtpërdrejt Rusisë mesazhet tona”, tha Costa sot pas samitit të BE-së në Bruksel.

Më herët gjatë kësaj jave, “Bloomberg” raportoi se në javët e fundit kanë pasur kontakte të shkurtra në nivel diplomatik mes zyrës së Costës dhe Kremlinit, me qëllim krijimin e kanaleve të komunikimit me Moskën.

Marrëdhëniet diplomatike mes Brukselit dhe Moskës janë tensionuar thellësisht që kur Rusia pushtoi për herë të parë pjesë të Ukrainës në vitin 2014 dhe arritën nivelin më të ulët në dekada pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.

Disa vende anëtare të BE-së, përfshirë Spanjën, Italinë dhe Irlandën, e mirëpritën këtë iniciativë për komunikim. Megjithatë, vende të tjera, si Gjermania dhe Franca, shprehën skepticizëm ndaj saj.

Në fillim të këtij muaji, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer iu bashkuan presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në thirrjet për përpjekje të reja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Evropa synon të marrë rolin udhëheqës në procesin diplomatik, i cili deri tani është udhëhequr kryesisht nga Uashingtoni.

Duke folur pas bisedimeve në Bruksel, kancelari Merz tha se është ende herët për të vendosur se kush do të marrë pjesë përfundimisht në negociatat e mundshme.

“Së pari duhet të biem dakord për përmbajtjen e bisedimeve, pastaj do të sqarojmë formatet. Një hap pas tjetrit”, deklaroi ai.

Nga ana e tij, Costa hodhi poshtë sugjerimet për rivalitet mes iniciativave të ndryshme diplomatike.

“Nuk shoh asnjë kundërshti apo konkurrencë mes aktorëve dhe formateve të ndryshme. Ato janë plotësuese”, tha ai.

Sipas Costës, mbajtja e kanaleve të komunikimit të hapura me Rusinë nuk bie ndesh me përpjekjet e tjera diplomatike, por mund të ndihmojë në përcjelljen e drejtpërdrejtë të qëndrimeve dhe interesave evropiane në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon pa një zgjidhje të afërt. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›