BRINDIZI – Kthehen shtatë emigrantët e nisur drejt Shqipërisë

BRINDIZI, 12 nëntor /ATSH-ANSA/ – Ka hyrë menjëherë në fuqi vendimi i gjyqtarëve romanë për shtatë emigrantët, të cilët që prej së premtes së kaluar ndodheshin në qendrën e pritjes së tyre në Gjadër.
Azilkërkuesit u nisën në mbrëmje me anijen e Rojës Bregdetare ”Visalli” në Brindizi, ku do të arrijnë gjatë natës, pas disa orësh udhëtim.
Ata do të transferohen më pas në një qendër për azilkërkuesit në zonën e Pulias për t’iu nënshtruar procesit të zakonshëm të ekzaminimit të aplikimit.
Logjistika e transferimit ishte organizuar në mënyrë adekuate paraprakisht.
Pas refuzimit të procedurës së përshpejtuar kufitare, e cila parashikonte ndalimin e azilkërkuesve që vijnë nga vende të sigurta, në këtë pikë do të nisë procedura e zakonshme.
Ata do të shkojnë në një qendër italiane, ku me sa duket do të paraqesin një apel kundër refuzimit të kërkesës së tyre për azil në Shqipëri.
Ata kanë 14 ditë kohë për ta bërë këtë dhe do të ndihmohen nga avokatët nëpërmjet ndërmjetësve të pranishëm në qendër.
Ata gjithashtu do të kenë një kartë telefonike.
Ndryshe nga qendra e Gjadrit, në qendrat italiane emigrantët mund të largohen lirshëm gjatë orëve të ditës dhe madje të mungojnë për periudha më të gjata./ a.jor.