SHBA – FT: Trump i interesuar për vetëm dy pika të planit të paqes të Zelenskyt

UASHINGTON, 12 nëntor /ATSH-ANSA/ – Dy propozime të planit të fitores së Zelenskit i interesojnë presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, sipas ”Financial Times”.
Gazeta kujton takimin e Zelenskyt me manjatin në shtator.
”Një pikë ka të bëjë me vendosjen e disa trupave ukrainase në Evropë në fund të luftës”, shkruan gazeta.
”Pika tjetër, e ideuar fillimisht nga senatori republikan, Lindsey Graham, një aleat i Trump, sugjeron ndarjen e burimeve të rëndësishme natyrore të Ukrainës me partnerët perëndimorë”, shton ajo.
”Këto dy ide u futën nga Zelensky në planin e paqes duke pasur pikërisht parasysh Trumpin në mendje, sipas njerëzve të përfshirë në hartimin e tij”, thotë ”Financial Times”.
Sipas zyrtarëve ukrainas dhe evropianë, aleatët e Ukrainës në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, përfshirë republikanët e lartë, kanë ofruar këshilla se si të hartohen më së miri propozimet që nxisin bashkëpunimin e ngushtë me Kievin në vend që të shkurtojnë ndihmën për vendin.
Nga ana tjetër, biznesmenët ukrainas po diskutojnë gjithashtu me qeverinë mundësinë e ofrimit të kompetencave të “sprovimit të investimeve” të Trump, duke e lejuar atë të zgjedhë në thelb se kush mund të bëjë biznes në vend.
Një person i përfshirë në planifikim e përshkroi idenë si “ABC – kushdo përveç Kinës”, gjë që mund të jetë veçanërisht e këndshme për Trump.
Sipas personit të përfshirë, industritë ukrainase që varen nga teknologjia dhe materialet kineze, si telekomunikacioni, mund të zhvendosen tek furnizuesit amerikanë dhe të tërheqin më shumë investime perëndimore.
Ideja është ende në fazat e para, por disa drejtues biznesi pranë zyrës së presidentit besojnë se kjo mund t’i përshtatet mirë Trumpit./ a.jor.