E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas fushatave sensibilizuese, rritje deri në 81% e pagave në ndërtim e turizëm

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur sot se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, janë regjistruar 13 825 punonjës të rinj më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Kjo rritje e numrit të punonjësve, tha Malaj, është një tregues i forcimit të tregut të punës dhe një rezultat pozitiv i fushatave sensibilizuese të ndërmarra nga administrata tatimore në sektorin privat.

Po ashtu, ministri deklaroi se gjatë kësaj periudhe ka rritje të deklarimit të pagave në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Sipas të dhënave, për pagat në fashën 70 000-100 000 lekë, është shënuar një rritje prej 25% në krahasim me marsin e vitit 2025. Ndërkaq, për fashat nga 100 000 deri në 120 000 lekë, kjo rritje ka arritur në 26%.

Një rritje e veçantë, theksoi ai, është vërejtur në sektorët e ndërtimit dhe turizmit, të cilët janë identifikuar si sektorë me rritje të lartë të pagave pas fushatave sensibilizuese të administratës tatimore.

“Në sektorin e ndërtimit, për pagat në fashën 70 000-100 000 lekë, është shënuar një rritje prej 81% krahasuar me marsin e vitit 2025, ndërsa për fashën 100 000-120 000 lekë, rritja ka qenë 61%”, deklaroi Malaj.

Po ashtu, nënvizoi ai, sektori i turizmit ka pësuar një rritje të pagave mesatarisht prej 32-34% për të njëjtat fasha pagash.

Kjo rritje e deklarimit të pagave ka pasur ndikim edhe në rritjen e tatimit mbi të ardhurat personale të paguara.

Malaj bëri të ditur se tatimi mbi të ardhurat personale në sektorin privat është rritur me 17,1% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2025, ndërsa në sektorin publik ka shënuar një rritje prej 9%.

Këto të dhëna, sipas tij, janë një tregues i vazhdimit të progresit në ekonominë e vendit, duke u mbështetur në formalizimin e mëtejshëm të sektorëve dhe rritjen e konsumit dhe të ardhurave.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›