BRUKSEL – BE kundërshton uljen e TVSH-së së karburanteve nga Spanja dhe Polonia

BRUKSEL, 8 prill /ATSH-AFP/ – Komisioni Evropian kritikoi dhe kundërshtoi sot Spanjën dhe Poloninë për uljet e TVSH-së për karburantet për të kufizuar çmimet në pikat e shitjes me pakicë mes krizës në Lindjen e Mesme, duke vënë në dukje se kjo masë është në kundërshtim me ligjin evropian.
Duke folur për shtypin, një zëdhënëse e Komisionit konfirmoi se një letër iu dërgua Madridit dhe Varshavës më 28 mars për t’u kujtuar atyre ligjin.
“Ne shpjeguam se legjislacioni evropian nuk përfshin dispozita që synojnë uljen e TVSH-së në karburantet fosile. Ne rekomandojmë që të jepet përparësi një uljeje të akcizave, një taksë mbi produktet e naftës që shtetet anëtare mund ta rregullojnë”, tha zëdhënësja Louise Bogey.
Komisioni është duke pritur një përgjigje nga të dy vendet përkatëse.
Në përputhje me objektivat klimatike të Bashkimit Evropian dhe me qëllim harmonizimin e taksimit midis Shteteve Anëtare, një direktivë evropiane e vitit 2006, e rishikuar në prill 2022, përcakton një kornizë për TVSH-në brenda territorit të 27 shteteve anëtare.
Teksti përcakton që norma standarde e TVSH-së nuk mund të jetë më e ulët se 15%, ndërsa autorizon zbatimin e normave të reduktuara për kategori të caktuara mallrash dhe shërbimesh si energjia elektrike dhe gazi.
Megjithatë, karburantet nuk janë të pranueshme për këtë ulje.
”Ulja e njëanshme e kësaj norme do të ishte e paligjshme dhe madje e rrezikshme, pasi shkeljet e ligjit të Bashkimit Evropian mund të sanksionohen nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së”, shpjegoi Alexandre Maitrot de la Motte, profesor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Paris-Est ”Créteil”.
Një shembull i cituar shpesh nga mbështetësit e kësaj mase është rasti i Polonisë, e cila, gjatë krizës energjetike të vitit 2022, uli TVSH-në e karburantit nga 23% në 8% për rreth 10 muaj.
Në fakt, ajo kishte shkelur ligjin evropian.
Por, në këtë kontekst të jashtëzakonshëm, autoritetet evropiane u treguan të butë./ a.jor.