RIAD – Starmer mbërrin në Arabinë Saudite pas marrëveshjes së armëpushimit SHBA–Iran

RIAD, 8 prill /ATSH/- Kryeministri britanik Keir Starmer ka mbërritur në Arabinë Saudite, në kuadër të një vizite në vendet aleate të Gjirit, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord për një armëpushim, sipas BBC.
Sipas Downing Street, kryeministri Starmer pritet të “diskutojë përpjekjet diplomatike për të mbështetur dhe ruajtur armëpushimin”.
Ai do të rikthehet të premten në Britaninë e Madhe.
Armëpushimi vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se “një civilizim i tërë do të vdesë” nëse Irani nuk pranonte t’i jepte fund luftës dhe të rihapte Ngushtica e Hormuzit, deklarata që shtyu Londrën të bëjë sërish thirrje për ulje tensionesh.
“E mirëpres marrëveshjen e armëpushimit të arritur gjatë natës, e cila sjell një moment lehtësimi për rajonin dhe botën”, u shpreh kryeministri Starmer.
“Së bashku me partnerët tanë duhet të bëjmë gjithçka për ta mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim, për ta kthyer në një marrëveshje afatgjatë dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit”, shtoi ai.
Gjatë vizitës në Gji, Starmer pritet gjithashtu të takojë personelin ushtarak britanik në rajon. Udhëtimi ishte planifikuar edhe para shpalljes së armëpushimit.
SHBA-ja dhe Irani ranë dakord për një armëpushim të kushtëzuar, pak para skadimit të ultimatumit të vendosur nga presidenti Trump.
Në një postim në rrjetin Truth Social, ai deklaroi se marrëveshja varet nga “hapja e plotë, e menjëhershme dhe e sigurt” e Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi njoftoi se Irani do të pranojë armëpushimin “nëse ndalen sulmet ndaj Iranit”, duke shtuar se për një periudhë dyjavore do të mundësohet kalimi i sigurt në Ngushticën e Hormuzit. /Ad.Ab./ a.jor.