Policia: Kujdes, skemë e re mashtrimi përmes SMS-ve me gjobat e makinave

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Policia e Shtetit njofton sot qytetarët se është evidentuar një skemë e re mashtrimi përmes mesazheve SMS, e ngjashme me atë të “Postës Shqiptare”, për të cilën është depozituar kallëzim nga vetë ky institucion pranë strukturave për Hetimin e Krimive Kibernetike në Policinë e Shtetit.
Në një njoftim për shtyp, Policia thekson se mesazhet paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga “e-Albania” për pagesën e gjobave të automjeteve dhe përmbajnë linke të falsifikuara që drejtojnë përdoruesit në faqe të rreme, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare.
Sipas Policisë, këto mesazhe janë mashtrim dhe nuk kanë asnjë lidhje me “e-Albania”-n apo me institucionet shtetërore.
Qytetarët këshillohen të mos klikojnë në linke të dërguara përmes SMS-ve nga numra të panjohur; të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të pakonfirmuara; të mos veprojnë nën presionin e mesazheve që krijojnë urgjencë.
Gjithashtu rekomandohet përdorimi vetëm i faqes zyrtare https://e-albania.al, fshirja e menjëhershme e mesazheve të tilla dhe raportimi i çdo rasti pranë autoriteteve.
1 nga 6/k.s/r.e/