BRUKSEL – BE mbikëqyrje me të rreptë ndaj “Apple” dhe “Google” për mashtrimet online

BRUKSEL,23 shtator /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian u ka kërkuar “Apple”, “Google”, “Microsoft” dhe “Booking.com” të shpjegojnë mënyrat se si po i luftojnë mashtrimet financiare në platformat e tyre.
Një zëdhënës i komisionit tha sot se ky është një “hap i domosdoshëm” për të mbrojtur përdoruesit në të gjithë Bashkimin Evropian.
Kërkesa formale për informacion është bërë në bazë të ”Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA)”, i cili vendos detyrime të rrepta për platformat e mëdha online.
Kompanitë duhet të sqarojnë si parandalojnë humbjet financiare të përdoruesve nga oferta të rreme dhe mashtrime të tjera.
Për “Apple” dhe “Google” vëmendja është te dyqanet e tyre digjitale, “App Store” dhe “Google Play”.
“Microsoft” ka një platformë shitjesh përmes “Bing”, ndërsa “Booking.com”, me seli në Holandë, është kompania e vetme jo-amerikane e përfshirë.
Komisioni nuk ka caktuar një afat për përgjigjet, por zakonisht këto kërkesa lënë disa javë kohë.
Pas shqyrtimit të përgjigjeve, BE mund të ndërmarrë hapa të tjerë. Kompanitë që japin informacione të rreme, të paplota ose mashtruese, ose refuzojnë të përgjigjen , rrezikojnë gjoba.
Më pas, komisioni mund të hapë procedura formale kundër kompanive, duke zbuluar më shumë detaje mbi shqetësimet e tij.
DSA-ja synon mbikëqyrje më të rreptë të platformave të mëdha digjitale, duke i detyruar të heqin më shpejt përmbajtjen e paligjshme dhe të lehtësojnë raportimin e saj nga përdoruesit. Platformat duhet gjithashtu të verifikojnë dhe të ndjekin identitetin e shitësve, duke mbledhur dokumentacion për t’ua kaluar përdoruesve të prekur në rast mashtrimi.
Ky ligj ka tensionuar ndonjëherë marrëdhëniet transatlantike: administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump e ka cilësuar atë si të padrejtë ndaj gjigantëve amerikanë të teknologjisë dhe antikonkurrues. /Ad.Ab./