E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Potenciali i veriut thesari i pazbuluar i Shqipërisë, tani koha për investime

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në konferencën ndërkombëtare “Shqipëria, Horizonti i Ri” në Vjenë, foli për potencialin e jashtëzakonshëm të veriut të Shqipërisë, duke e cilësuar si “thesarin e vërtetë të vendit” dhe një mundësi të artë për investime afatgjata.

I pyetur për vizionin e qeverisë sa i përket zhvillimit të veriut, Rama u shpreh se “Shqipëria njihet ende si një vend i bregdetit dhe vetë shqiptarët shpesh janë peng i mendësisë se e ardhmja e vendit është vetëm tek deti. Por malet janë thesari i pazbuluar dhe koha për t’u investuar atje është tani”.

Kryeministri bëri të ditur se ka tashmë disa investime të huaja konkrete që synojnë zhvillimin e zonave malore, përfshirë kapital austriak që pritet të financojë resortin e parë të skive në Shqipëri, një projekt që shënon një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të ofertës turistike.

“Kur të ç’kyçen malet, atëherë do të shihet potenciali i tyre i vërtetë. Ata që investojnë që tani, do të përfitojnë më shumë në të ardhmen. Dhe në këtë drejtim, ne kemi nisur të bëhemi ‘Austria e Mesdheut’” tha Rama.

Ai theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit malor si një shtyllë strategjike për rritjen ekonomike, duke u bërë thirrje investitorëve të huaj të eksplorojnë mundësitë në këtë zonë të Shqipërisë, ende pak të prekur, por me potencial të jashtëzakonshëm natyror dhe klimatik. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›