BRUKSEL – BE sanksione të reja kundër anëtarëve të gjyqësorit rus

BRUKSEL, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Dy anëtarë të gjyqësorit rus nuk do të jenë më në gjendje të hyjnë në Bashkimin Evropian ose të përdorin asetet e mbajtura në BE për shkak të shkeljeve të dyshuara të të drejtave të njeriut.
Vendet anëtare të BE-së kanë vendosur sanksione ndaj Dmitry Gordeev dhe Lyudmila Balandina.
“Ata janë përgjegjës për shkelje serioze të të drejtave të njeriut, shtypjen e shoqërisë civile dhe opozitës demokratike, si dhe minimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës në Rusi”, thuhet në deklaratë.
Përveç ndalimit të hyrjes dhe ngrirjes së aseteve, qytetarëve dhe kompanive të BE-së u ndalohet gjithashtu të vënë në dispozicion fonde për dy individët.
“Gordeev është gjyqtar në Gjykatën e Qytetit të Moskës dhe ka dhënë vazhdimisht vendime të motivuara politikisht kundër përfaqësuesve të opozitës dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut”, sipas deklaratës.
Ai ka shpërfillur sistematikisht standardet themelore të drejtësisë së paanshme, shtoi ajo.
Balandina është prokurore dhe ka luajtur një rol kyç në disa raste të profilit të lartë – të karakterizuara nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe shtypja e individëve që kritikuan autoritetet ruse ose mbështetën Ukrainën.
Balandina ka abuzuar sistematikisht me pozicionin e saj si prokurore për të ndjekur akuza me motive politike, thuhet në deklaratë. //a.i/