E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e opozitës, Partia e Lirisë mbledh Komitetin Drejtues Kombëtar

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Partia e Lirisë mblodhi sot Komitetin Drejtues Kombëtar ku u diskutua në lidhje me protestën kombëtare të opozitës.

Gjatë mbledhjes u përcoll edhe një mesazh i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ku ai iu bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestë, ndërsa theksoi se misioni i tyre është që Shqipërinë t’ua rikthejnë shqiptarëve.

Gjithashtu edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, vuri në dukje se përmes protestës, qytetarët tregojnë me vendosmëri se frika vritet vetëm duke u përballur me të, se regjimet bien kur qytetarët ngrihen, se asnjë pushtet nuk është më i fortë se një popull patriot, i bashkuar dhe i vendosur.

“Sot shqiptarët janë në këmbë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të tyre themelore, përballë një regjimi armik të tyre që e ka shndërruar Shqipërinë, në të vetmin vend anëtar të NATO-s me të burgosur politik”, tha Blushi.

Sipas tij “regjimet bien kur populli ngrihet. Ne e dimë se kjo përballje kërkon sakrifica.  Por ne jemi gati të paguajmë çdo çmim për lirinë e Shqipërisë!”.

Nga ana tjetër, deputetja Erisa Xhixho në fjalën e saj tha se intensifikimi i komunikimit me qytetarët është detyrë parësore e çdo anëtari të Partisë së Lirisë.

“Organizimi dhe gjallërimi i strukturave është jetik. Duhet të forcojmë lidhjet me çdo strukturë, çdo kontakt dhe çdo mbështetës. Aksioni ynë duhet të jetë i vazhdueshëm, i pranishëm në terren, dhe burimet tona njerëzore e organizative duhet t’i shtojmë dhe t’i forcojmë çdo ditë”, u shpreh ajo.

Xhixho shtoi se Partia e Lirisë duhet të jetë në krah të qytetarëve, mes qytetarëve dhe për qytetarët.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›