E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Costa: Zgjerimi i BE-së investim gjeostrategjik

BRUKSEL, 9 dhjetor /ATSH/ – Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa u ka shkruar një letër udhëheqësve të vendeve anëtare përpara mbledhjes së Këshillit Evropian, që do të zhvillohet më 18–19 dhjetor, duke nënvizuar temat kryesore që do të dominojnë diskutimet si mbështetja për Ukrainën, negociatat për Kornizën e re Shumëvjeçare Financiare të Bashkimit Evropian për vitet 2028–2034 dhe zgjerimin e BE-së, sipas https://www.consilium.europa.eu/.

Ai njofton gjithashtu se një ditë më parë, më 17 dhjetor, do të mbahet samiti BE–Ballkani Perëndimor.

”Dua t’ju ftoj në Këshillin tonë Evropian të dhjetorit. Do të zhvillojmë diskutime thelbësore, me një fokus prioritar në dy çështje: Ukraina dhe siguria në kontinentin tonë si dhe korniza financiare shumëvjeçare e Bashkimit Evropian për vitet 2028-2034”, shkruan Costa.

”Pres me padurim t’ju shoh një ditë më parë, të mërkurën, më 17 dhjetor, për samitin BE – Ballkani Perëndimor”, shton ai.

”Do ta fillojmë takimin e Këshillit Evropian me një diskutim rreth Ukrainës. Zhvillimet e fundit nxjerrin në pah nevojën për veprim urgjent të BE-së. Në Këshillin Evropian të tetorit, ne u zotuam të adresojmë nevojat urgjente financiare të Ukrainës për vitet 2026-2027, duke përfshirë përpjekjet e saj ushtarake dhe mbrojtëse. Në takimin tonë të ardhshëm duhet të vendosim, bazuar në punën përgatitore në vazhdim, se si ta zbatojmë këtë angazhim”, thotë Costa.

”Së dyti, do të doja që ne të përqendroheshim në Kornizën Financiare Shumëvjeçare të ardhshme. Presidenca daneze ka avancuar ndjeshëm punën përgatitore. Diskutimet tona do të jenë një rast për të vlerësuar progresin e deritanishëm dhe për të ofruar udhëzime për fazën tjetër të negociatave. Do të jetë e nevojshme punë intensive për të arritur një marrëveshje, deri në fund të vitit 2026, mbi MFF-në e ardhshme dhe financimin e saj. Respektimi i këtij afati kohor është i rëndësishëm”, thekson ai.

”Konteksti aktual gjeopolitik thekson rëndësinë e zgjerimit si investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik i BE-së në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet. Përmes qasjes së bazuar në meritë, proceset e reformës kanë një efekt thellësisht transformues në vendet kandidate. Duke pasur parasysh përparimin që disa vende kandidate kanë bërë në rrugët e tyre të pranimit, disa prej tyre mund të përmbushin kushtet e nevojshme për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian në një të ardhme jo shumë të largët. Takimi i Këshillit Evropian në dhjetor do të jetë një rast i përshtatshëm për ne që të zhvillojmë një diskutim mbi rrugën përpara”, shton Costa në letrën e tij.

”Do të doja gjithashtu që të shkëmbenim pikëpamje mbi situatën gjeoekonomike dhe implikimet e saj për konkurrueshmërinë e BE-së. Konkurrueshmëria evropiane nuk ekziston në boshllëk. Është e rëndësishme që të diskutojmë presionet, por edhe mundësitë, që lindin në një botë të shënuar nga konkurrenca gjeoekonomike në rritje dhe në të cilën marrëdhëniet ekonomike të bazuara në rregulla dhe partneritetet tradicionale nuk mund të merren më si të mirëqena. Si mund ta mbrojë më mirë BE-ja veten nga presionet e jashtme ekonomike dhe politike? Si ta përshpejtojmë agjendën tonë të diversifikimit të tregtisë? Si e fiton BE-ja shkallën e nevojshme të autonomisë strategjike që ekonomitë tona të mbeten konkurruese? Këto janë disa nga pyetjet që do të doja të adresoja në takimin tonë të dhjetorit, në kontekstin e diskutimeve tona të vazhdueshme rreth agjendës së konkurrueshmërisë së BE-së”, shkruan ai.

”Situata në Lindjen e Mesme kërkon vëmendjen tonë të vazhdueshme. Miratimi i Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ofron një mundësi për të përparuar drejt paqes. Bashkimi Evropian ka një rol për të luajtur në kontributin për zbatimin e plotë të armëpushimit në Gaza dhe në sigurimin që ky proces të mbetet në rrugën e duhur drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme bazuar në zgjidhjen me dy shtete.

Ne gjithashtu do të vlerësojmë zbatimin e vendimeve tona të mëparshme mbi Mbrojtjen dhe Sigurinë Evropiane, që synojnë rritjen vendimtare të gatishmërisë së mbrojtjes së Evropës deri në vitin 2030. Ngjarjet e fundit tregojnë se Rusia dhe Bjellorusia kanë intensifikuar fushatën e tyre hibride në Evropë. Kjo na kujton se duhet të përshpejtojmë përpjekjet në të gjitha drejtimet drejt gatishmërisë sonë të mbrojtjes”, thekson presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa u ka shkruar një letër udhëheqësve të vendeve anëtare përpara mbledhjes së Këshillit Evropian./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›