BRUKSEL – Evropa shqyrton ashpërsimin e politikave të migracionit

BRUKSEL, 10 dhjetor /ATSH/ – Udhëheqësit evropianë pritet të diskutojnë sot ashpërsimin e politikave të migracionit, në një lëvizje që kritikët thonë se i është dorëzuar presionit të grupeve të ekstremit të djathtë dhe mund të minojë mbrojtjen e të drejtave të migrantëve dhe azilkërkuesve, sipas AP.
Ministrat e 27 vendeve anëtare të BE-së do të mblidhen në Bruksel për të diskutuar luftën kundër trafikimit të migrantëve, me një fjalim kryesor nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ndërkohë, në Strasburg, përfaqësues të Këshillit të Evropës, 46 vende nga Islanda deri në Azerbajxhan, do të debatojnë mbi lehtësimin e deportimeve për migrantët.
Vitin e kaluar, disa vende, përfshirë Danimarkën, Austria dhe Poloninë, tentuan të kufizonin kompetencat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke argumentuar se interpretimi i saj pengonte dëbimin e migrantëve që kryejnë krime.
Nisma dështoi, por mbështetja për idetë e saj po rritet.
Kryeministrat e Danimarkës dhe Britanisë së Madhe publikuan një opinion në “The Guardian”, ku kërkuan kontrolle më të ashpra për migrantët që kërkojnë mundësi ekonomike, duke theksuar se zgjidhjet duhet të jenë progresive dhe jo populiste.
Sipas Frontex, kalimet e paligjshme drejt BE-së ranë me 22% nga janari në tetor të këtij viti, me shumicën e migracionit që ndodh në mënyrë të ligjshme, kryesisht përmes vizave turistike që tejzgjaten.
BE-ja ka investuar miliarda euro për të frenuar migracionin e parregullt, duke mbështetur vende në Afrikë dhe Lindjen e Mesme për të ndaluar migrantët që tentojnë të kalojnë Mesdheun.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, paralajmëroi se ”Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut është garancia e fundit për të drejtat dhe liritë individuale” dhe se ”e ardhmja e saj është e lidhur ngushtë me drejtimin që do të marrë Evropa”./ /Ad.Ab./ a.jor.