KOMENT – FT: BE pranë ngrirjes së 210 miliardë eurove në asete ruse

LONDËR, 10 dhjetor /ATSH-ANSA/ – BE-ja synon të miratojë që këtë javë, para samitit evropian më 18-19 dhjetor, një vendim për të ngrirë përgjithmonë deri në 210 miliardë euro në asete sovrane ruse duke anashkaluar kështu rinovimin gjashtëmujor të regjimit të sanksioneve, sipas ”Financial Times” (FT).
FT raporton se ky veprim synon të anashkalojë kërcënimet e kryeministrit hungarez, Viktor Orban për të vënë veton ndaj rinovimit të sanksioneve.
Vendimi do të merret sipas Nenit 122 të Traktatit, i cili lejon që masat e emergjencës ekonomike të miratohen me shumicë të kualifikuar, në vend të unanimisht.
Përpjekja e shpejtë për të miratuar legjislacionin, i cili përdor fuqitë e emergjencës për të anashkaluar vetot kombëtare për zgjatjen e sanksioneve, synon të mbrojë ndikimin negociues të Brukselit në bisedimet e paqes të udhëhequra nga SHBA-të për luftën në Ukrainë, sipas zyrtarëve të njohur me planet.
Diplomatët që ndjekin dosjen besojnë se do të ishte e dobishme të veprohej shpejt në ditët në vijim për të ndarë çështjen e diskutueshme të imobilizimit të aseteve nga debati mbi kreditë për Kievin, të garantuara nga fondet e ngrira ruse.
Çështja e financimit do t’u lihet udhëheqësve të BE-së javën e ardhshme.
Vendimi për të votuar në ditët në vijim, vëren FT, rrezikon të zemërojë Hungarinë dhe vendet e tjera që kundërshtojnë masën.
Në të kaluarën, rastet në të cilat disa shtete anëtare të BE-së votuan me shumicë për çështje kritike, si Polonia dhe Hungaria për politikën e migracionit, kanë nxitur tensione midis kryeqyteteve për vite me radhë.
Komisioni i BE-së propozoi javën e kaluar përdorimin e 210 miliardë eurove të aseteve të huaja ruse të bllokuara në BE si pjesë e sanksioneve për të financuar një kredi për Ukrainën, fillimisht në shumën 90 miliardë euro që do të disbursohen gjatë dy viteve të ardhshme.
Mekanizmi kërkon që asetet themelore të bllokohen për një kohë të pacaktuar, në vend të vetëm për gjashtë muaj, si në regjimin aktual të sanksioneve, i cili rinovohet periodikisht nga 27 shtetet anëtare.
Hungaria, shteti anëtar më i afërt me Rusinë, kundërshton çdo ndihmë të mëtejshme për Ukrainën dhe ka kërcënuar vazhdimisht të vërë veton ndaj rinovimit të sanksioneve (të cilat deri më tani janë miratuar edhe me një votim në Budapest).
Zoltan Kovacs, një zëdhënës i qeverisë hungareze, deklaroi se propozimi i kredisë i Komisionit “kalon çdo vijë të kuqe”.
Sipas FT, konsolidimi i sanksioneve do t’i dërgonte gjithashtu një sinjal politik Uashingtonit, duke pasur parasysh se një draft fillestar i një plani paqeje për Ukrainën parashikonte që shumica e aseteve t’u ndaheshin dy fondeve të investimeve të udhëhequra nga SHBA-të.
Këtë mëngjes, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se Rusia do t’i përgjigjej çdo dislokimi të trupave evropiane në Ukrainë.
Moska gjithashtu foli për premtimin e presidentit Volodymyr Zelensky për të mbajtur zgjedhje në Ukrainë nëse perëndimorët garantojnë sigurinë e saj duke thënë se “i ngjan një skene nga një teatër kukullash.
”Zelensky thotë se dëshiron pavarësinë e Ukrainës, por kërkon që vendet e tjera të garantojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve dhe në të njëjtën kohë i quan këto zgjedhje demokratike”, tha zëdhënësja Zakharova për ”Sputnik Radio”.
Ndërkohë, gjatë natës, ushtria ruse sulmoi rajonin e Odesës duke dëmtuar infrastrukturën./ a.jor.