BRUKSEL – KE kritikon Zelensky pas kërcënimit ndaj Orban

BRUKSEL, 6 mars /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian ka kritikuar ashpër presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky pas kërcënimit ndaj kryeministrit hungarez Viktor Orbán për shkak të mosmarrëveshjes mbi një kredi të BE-së me vlerë 90 miliardë euro – e cila është bllokuar nga Hungaria.
“Ne jemi shumë të qartë, si Komision Evropian, se kjo lloj gjuhe nuk është e pranueshme. Nuk duhet të ketë kërcënime ndaj shteteve anëtare të BE-së”, tha sot një zëdhënës i komisionit.
Ai shtoi se përshkallëzimi i retorikës nga të gjitha anët nuk ishte i dobishëm.
Zelensky kërcënoi dje kryeministrin Orbán.
“Shpresojmë që një person në Bashkimin Evropian të mos bllokojë ndihmën prej 90 miliardë euro dhe që luftëtarët ukrainas të marrin armë; përndryshe, ne do t’ua japim adresën e këtij personi djemve tanë në mënyrë që ata të mund ta telefonojnë dhe të flasin me të në gjuhën e tyre”, tha Zelensky pas një takimi qeveritar në Kiev.
Zelensky theksoi se vendi i tij nuk ka alternativë ndaj kredisë së BE-së.
Qeveria në Budapest i konsideroi deklaratat si “shantazh”.
Budapesti po bllokon lëshimin e kredisë së BE-së për shkak të ndërprerjes së tranzitit të naftës përmes tubacionit Druzhba.
Sipas burimeve ukrainase, tubacioni u dëmtua nga një sulm me dron rus në fund të janarit pranë qytetit Brody të Ukrainës perëndimore.
Hungaria dhe Sllovakia fqinje, e cila gjithashtu është prekur nga ndërprerja, i kanë vënë në dyshim këto pretendime dhe po kërkojnë akses për një komision ekspertësh të Bashkimit Evropian.
Zelensky e refuzoi këtë, duke thënë se ekspertët ukrainas e kishin verifikuar situatën. //a.i/