SPANJË – Sanchez: Lufta me Iranin, një gabim i rëndë

MADRID, 6 mars /ATSH-DPA/- Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez ka përsëritur kritikat e tij ndaj luftës kundër Iranit, duke e përshkruar atë si një “gabim serioz” në një deklaratë publike.
“Unë besoj se është mirë që vendet aleate të ndihmojnë kur kanë të drejtë dhe gjithashtu të tregojnë kur gabojnë ose bëjnë një gabim, siç është rasti”, tha Sánchez në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin portugez, Luís Montenegro në Huelva në Spanjën jugore.
“Ky gabim do t’u kushtojë shtrenjtë të gjithëve, siç është tashmë e dukshme nga rritja e çmimeve të energjisë”, tha Sánchez.
Ai akuzoi sërish Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkelje të ligjit ndërkombëtar me sulmet e tyre ndaj Iranit.
“Spanja gjithashtu e hedh poshtë “regjimin iranian”, por ligji ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut duhet të respektohen ende”, tha Sánchez.
Trump kritikoi Spanjën gjatë takimit me Merz
Gjatë një takimi me kancelarin gjerman Friedrich Merz të martën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Trump kritikoi ashpër qeveritë në Madrid dhe Londër.
Ai tha se disa vende evropiane, si Spanja, ishin sjellë tmerrësisht, duke iu referuar sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit.
“Spanja ka qenë e tmerrshme”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar qëndrimit të Sánchez.
“Spanja, në fakt tha se nuk mund t’i përdorim bazat e tyre”, shtoi ai.
Kjo është arsyeja pse ai udhëzoi ministrin e tij të Financave, Scott Bessent, të pezullonte të gjitha marrëveshjet me Madridin. Trump nuk tha se për cilat marrëveshje po i referohej.
Trump shkoi më tej dje, duke e përshkruar Spanjën si një “humbëse” dhe “armiqësore” ndaj NATO-s në një intervistë për “New York Post”. //a.i/