E Diel, 1 Nëntor 2026

BUDAPEST – Hungaria arreston shtatë ukrainas dhe sekuestron miliona dollarë

BUDAPEST, 6 mars /ATSH/- Autoritetet hungareze arrestuan shtatë shtetas ukrainas dhe sekuestruan dy automjete të blinduara që transportonin shuma të mëdha parash në territorin e Hungarisë, nën dyshimin për pastrim parash, njoftuan sot zyrtarët, sipas AP.

Ukraina akuzoi qeverinë pro-ruse të Hungarisë se po mban ukrainasit peng dhe se ka sekuestruar në mënyrë të paligjshme miliona dollarë.

“Ne nuk do ta tolerojmë këtë banditizëm shtetëror”, shkroi në platformën X ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha.

“Të gjithë ata që janë përgjegjës për marrjen dhe mbajtjen peng të qytetarëve tanë do të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.

Sipas Sybiha-s, shtatë ukrainasit e arrestuar ishin punonjës të bankës shtetërore ukrainase “Oschadbank” dhe udhëtonin me dy automjete të blinduara që transportonin para midis Austrisë dhe Ukrainës, si pjesë e shërbimeve të rregullta ndërmjet bankave shtetërore.

“Ngarkesa e ndaluar nga autoritetet hungareze përfshinte 40 milionë dollarë amerikanë, 35 milionë euro dhe 9 kilogramë ar — me vlerë rreth 1,5 milionë dollarë me çmimet aktuale”, sipas një deklarate të veçantë të “Oschadbank”.

Administrata Kombëtare e Tatimeve dhe Doganave e Hungarisë konfirmoi se shtetasit ukrainas janë arrestuar dhe se janë sekuestruar dy automjetet e transportit të parave. Institucioni shtoi se po zhvillohen procedime penale nën dyshimin për pastrim parash.

Në një deklaratë të mëvonshme, Qendra e Informacionit e Qeverisë hungareze tha se shtatë ukrainasit do të dëboheshin sot nga territori i Hungarisë.

Sipas saj, mes tyre kishte një ish-gjeneral të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, një ish-major të Forcave Ajrore ukrainase dhe persona me përvojë ushtarake.

Megjithatë, deklarata nuk sqaroi nëse ukrainasit dyshohen për pastrim parash, ata do të lirohen nga paraburgimi dhe do të dëbohen nga vendi.

Ngjarja ka përshkallëzuar më tej tensionet mes Hungarisë dhe Ukrainës, të cilat janë përfshirë në një konflikt të ashpër për furnizimin e Hungarisë me naftë ruse përmes një tubacioni që kalon në territorin ukrainas.

Dërgesat e naftës përmes tubacionit Druzhba janë ndërprerë që nga 27 janari.

Ukraina tha se sulmi me dron rus kishte dëmtuar infrastrukturën e tubacionit dhe se riparimi i tij paraqiste rreziqe për teknikët, duke shtuar se edhe nëse rikthehej në funksion, ai mbetej i cenueshëm ndaj sulmeve të tjera ruse.

Qeveria hungareze ka akuzuar Ukrainën se po bllokon qëllimisht furnizimin me naftë ruse dhe ka paralajmëruar kundërmasa të forta ndaj Kievit deri sa furnizimi të rifillojë.

Orbán e lidh fushatën zgjedhore me një retorikë kundër Ukrainës

Kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Kremlinin ndërsa ka përshkallëzuar një fushatë të ashpër kundër Ukrainës para zgjedhjeve vendimtare muajin e ardhshëm, e ka quajtur Ukrainën “armik” të Hungarisë.

Ai akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se po përpiqej të provokonte një krizë energjetike për të ndikuar në votimin e 12 prillit.

“Mënyra më e mirë që ukrainasit të arrijnë kërkesat e tyre ndaj Hungarisë është të heqin qeverinë kombëtare dhe kryeministrin”, tha Orbán në një intervistë për radion shtetërore.

Ministri i Jashtëm ukrainas e cilësoi veprimin e Hungarisë si pjesë të një fushate elektorale.

Hungaria vazhdon të mbështetet te nafta ruse

Hungaria, së bashku me Sllovakinë fqinje, kanë sfiduar përpjekjet e Bashkimit Evropian për t’u shkëputur nga karburantet fosile ruse dhe kanë vazhduar t’i blejnë ato pavarësisht pushtimit rus të Ukrainës.

Orbán, i cili më herët ndaloi dërgesat e naftës drejt Ukrainës, vuri veton ndaj një raundi të ri sanksionesh të BE-së kundër Rusisë dhe bllokoi një kredi prej 90 miliardë eurosh për Kievin, si përgjigje ndaj ndërprerjes së furnizimeve me naftë.

Ai gjithashtu ka vendosur forca ushtarake në disa pika kyçe të infrastrukturës energjetike në Hungari, duke akuzuar Ukrainën se po planifikon sabotime.

Orbán deklaroi dje në një forum ekonomik se Hungaria do të përdorte “forcën”, përfshirë “mjetet politike dhe financiare”, për ta detyruar Ukrainën të rifillonte furnizimet me naftë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Ukrainës u bëri thirrje qytetarëve ukrainas të shmangnin udhëtimet drejt Hungarisë, duke thënë se siguria e tyre nuk mund të garantohej për shkak të veprimeve arbitrare të autoriteteve hungareze.

Ministria paralajmëroi gjithashtu bizneset ukrainase dhe evropiane të merrnin parasysh rrezikun e sekuestrimit arbitrar të pronës në Hungari. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›