BRUKSEL – KE prezanton projektbuxhetin 2027, fokusi në mbrojtje dhe konkurrueshmëri

BRUKSEL, 10 qershor /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian prezantoi sot projektbuxhetin e Bashkimit Evropian për vitin 2027, me vlerë 200 miliardë euro, duke vënë theksin te forcimi i konkurrueshmërisë dhe sigurisë së bllokut.
“Ndërsa Evropa po përballet me presione reale, nga shqetësimet për sigurinë deri te një mjedis ekonomik sfidues, ky buxhet siguron që Evropa të mbetet e përqendruar te prioritetet e saj kryesore: ta bëjë Evropën më të sigurt, më të fortë dhe më konkurruese”, tha sot komisioneri evropian për Buxhetin, Piotr Serafin.
Ai e cilësoi projektbuxhetin si, një buxhet të përgjegjshëm dhe me vizion për të ardhmen, që mbron prioritetet kryesore dhe sjell rezultate për qytetarët në të gjithë Bashkimin.
Komisioni Evropian administron buxhetin e BE-së, i cili financohet nga kontributet e shteteve anëtare, si dhe nga disa taksa dhe detyrime doganore, dhe përdoret për të mbështetur një gamë të gjerë programesh dhe nismash të përbashkëta.
Sipas projektbuxhetit për vitin 2027, synohet forcimi i gatishmërisë së Evropës, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe mbështetja e investimeve në kërkimin për mbrojtjen, kapacitetet industriale, lëvizshmërinë ushtarake dhe qëndrueshmërinë strategjike.
Gjithashtu, parashikohen fonde shtesë për vendet anëtare të BE-së, për zbatimin e rregullave të reja të bllokut, në fushën e azilit dhe migracionit.
Tashmë, Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare do të paraqesin qëndrimet e tyre përpara se të bien dakord për prioritetet dhe shumat përfundimtare të buxhetit.
Buxheti i këtij viti arrin në rreth 190 miliardë euro.
Buxheti i vitit 2027 është buxheti i fundit vjetor në kuadër të kornizës aktuale, shumëvjeçare financiare të BE-së.
Ndërkohë, negociatat për buxhetin afatgjatë të periudhës 2028-2034 janë në zhvillim. //a.i/