E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Komisioni Evropian paraqet buxhetin trilionësh për vitet 2028-34

BRUKSEL, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian pritet të paraqesë sot planet e tij për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Evropian për vitet 2028-34, që ka të ngjarë të arrijë në mbi një trilion euro (1,17 trilionë dollarë).

Buxheti i bllokut, i quajtur ndryshe ”korniza financiare shumëvjeçare”, do të përcaktojë prioritetet e politikave të BE-së për vitet e ardhshme dhe sa para ndahen për fusha të ndryshme.

Perspektiva aktuale financiare afatgjatë vlen 1,07 trilion euro në kontribute nga 27 shtetet anëtare të BE-së dhe u plotësua me 750 milionë euro në kredi në vitin 2021 për të financuar pasojat ekonomike nga pandemia Covid-19.

Korniza afatgjatë pasohet nga buxhete vjetore me shpenzime të detajuara.

Propozimi i komisionit ka të ngjarë të debatohet intensivisht nga shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian, pasi blloku ka nevoja financiare në rritje, duke përfshirë konkurrencën, sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe pagesat e interesit, ndërsa shumë kryeqytete përballen me borxh të lartë të brendshëm.

Përveç se sa para do të kontribuojnë shtetet anëtare dhe nga mund të vijnë burimet shtesë, mënyra se si do të menaxhohen fondet do të jetë gjithashtu një çështje e diskutueshme.

Aktualisht, programe të ndryshme për subvencione për bujqësinë, peshkimin dhe zhvillimin rural përbëjnë rreth gjysmën e buxhetit të BE-së.

Komisioni më parë kishte treguar se dëshiron të largohet nga ky sistem dhe të strukturojë burimet bazuar në planet kombëtare për shtetet anëtare.

Parlamenti Evropian dhe autoritetet rajonale e kanë kritikuar tashmë planin mes frikës se rigrupimi i fondeve mund të çojë në mungesë transparence dhe të minojë llogaridhënien parlamentare./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›