LETONI – Riga i dorëzon 15 transportues të blinduar Ukrainës

RIGA, 16 korrik /ATSH–DPA/ – Letonia i ka dorëzuar Ukrainës një ndihmë të re ushtarake, ndërsa ajo vazhdon të mbrohet kundër pushtimit rus.
Shteti baltik, anëtar i BE-së dhe NATO-s, i dorëzoi 15 transportues të blinduar ”Patria 6×6” forcave të armatosura ukrainase gjatë një vizite në Kiev nga kryeministrja letoneze Evika Siliņa, njoftuan Kancelaria e Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes e Letonisë.
“Mbështetja e Letonisë për Ukrainën nuk është vetëm me fjalë, por edhe me veprime konkrete”, citohet të ketë thënë Siliņa në deklaratë.
Letonia planifikon të dërgojë gjithsej 42 automjete të blinduara në Ukrainë këtë vit.
Automjetet prodhohen në Letoni nga ”Patria”, një kompani finlandeze e mbrojtjes.
Përveç transportuesve të blinduar, Riga po përgatitet të ofrojë dronë dhe pajisje të tjera ushtarake me vlerë 70 milionë euro.
Letonia gjithashtu planifikon të trajnojë deri në 4 000 ushtarë ukrainas si pjesë e ndihmës së saj të vazhdueshme./ /Ad. Ab./