BRUKSEL – NATO dënon shënjestrimin e Turqisë nga Irani

BRUKSEL, 4 mars /ATSH-DPA/- NATO dënon shënjestrimin e Turqisë nga Irani, tha sot zëdhënësja Allison Hart, pasi sistemet e aleancës interceptuan një raketë balistike iraniane përpara se ajo të hynte në hapësirën ajrore turke.
“NATO qëndron me vendosmëri me të gjithë aleatët, përfshirë Turqinë, ndërsa Irani vazhdon sulmet e tij pa dallim në të gjithë rajonin”, tha sot Hart.
“Qëndrimi ynë mbrojtës dhe parandalues mbetet i fortë në të gjitha fushat, përfshirë kur bëhet fjalë për mbrojtjen ajrore dhe raketore”, shtoi ajo.
Presidenca turke tha sot se sistemet e mbrojtjes kishin interceptuar raketën balistike.
“Raketa, e cila u gjurmua duke kaluar nëpër hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë, u “neutralizua” nga sistemet e NATO-s”, tha zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Burhanettin Duran në një deklaratë në X.
Nuk u raportuan viktima ose dëme të mëdha në territorin turk.
“Mbeturinat e gjetura në qarkun Dörtyol të provincës Hatay, përgjatë kufirit sirian, e kanë origjinën nga sistemi i interceptorëve në Mesdheun lindor”, tha Ministria Turke e Mbrojtjes në një postim në platformën X.
Ministria paralajmëroi se “ruan të drejtën për t’iu përgjigjur” çdo kërcënimi.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte theksoi dje se aleanca nuk ishte e përfshirë në konflikt, pavarësisht se SHBA-ja është aleate e NATO-s dhe Irani më parë është hakmarrë me sulme kundër bazave ushtarake të aleatëve të tjerë. //a.i/