FOKUS – Izraeli hyn në qytetin libanez, urdhëron evakuime në zonat kufitare

BEJRUT, 4 mars /ATSH-DPA/- Forcat izraelite hynë sot në qytetin jugor libanez Khiam, rreth 6 kilometra nga kufiri me Izraelin, ndërsa bombardimet e artilerisë dhe sulmet ajrore vazhdojnë të intensifikohen në të gjithë jugun e Libanit, raporton media shtetërore libaneze.
“Qyteti i Khiam-it po përjeton bombardime të vazhdueshme, ndërsa ushtria armike izraelite ka depërtuar në qytet”, sipas raportit.
Banorët në jug të lumit Litani thanë se kanë marrë mesazhe urgjente që u kërkojnë të evakuohen menjëherë.
Zëdhënësi arab i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, tha në X se civilët që jetonin në jug të lumit Litani duhej të lëviznin në veri, duke paralajmëruar se ushtria ishte e detyruar të ndërmerrte veprime ushtarake kundër Hezbollahut në zonë.
Ushtria izraelite ka lëshuar paralajmërime evakuimi për banorët e afërsisht 30 qyteteve dhe fshatrave në jug të Libanit.
Një burim i ushtrisë libaneze tha se rreth 30 sulme ishin kryer brenda 15 minutave në zonat në jug të lumit Litani.
Burimi shtoi se bombardimet ajrore zakonisht intensifikohen përpara një sulmi tokësor, për të pastruar rrugën për forcat.
Hezbollahu njoftoi se është përgjigjur duke lëshuar raketa kundër një patrulle izraelite.
Ushtria izraelite tha se ishin interceptuar disa projektilë të hedhur nga Liban dhe se nuk ishin raportuar viktima.
Ndërkohë, frika dhe pasiguria kanë përfshirë Bejrutin, ku banorët shqetësohen se sulmet mund të përhapen përtej bastioneve të Hezbollahut.
Ministria e Shëndetësisë raportoi se një sulm ajror izraelit kishte goditur një ndërtesë pranë “Spitalit Bahman” në periferinë jugore të Bejrutit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Ministria bëri thirrje për mbrojtjen e objekteve mjekësore sipas ligjit ndërkombëtar dhe Konventave të Gjenevës.
Më herët, forcat izraelite goditën një hotel dhe një kompleks banimi në periferi të Bejrutit pranë pallatit presidencial — një zonë që më parë ishte ruajtur nga dhuna. Sulmi plagosi pesë persona.
Ushtria izraelite njoftoi në mëngjes se kishte filluar sulmet ndaj infrastrukturës së Hezbollahut në Bejrut, duke thënë se do të jepeshin detaje të mëtejshme.
Avionë luftarakë vazhduan bombardimet në periferi jugore të kryeqytetit gjatë gjithë mëngjesit, sipas dëshmitarëve.
Izraeli gjithashtu ka vazhduar sulmet në pjesë të tjera të Libanit.
Një sulm ajror mbi një ndërtesë banimi, në Baalbek, në lindje të Libanit vrau gjashtë persona dhe plagosi 15 të tjerë, sipas raporteve zyrtare.
Sulmet në qytetin bregdetar, Saadiyat dhe vende të tjera shkaktuan gjashtë të vrarë dhe tetë të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha dje se të paktën 50 persona ishin vrarë dhe mbi 300 të tjerë ishin plagosur nga sulmet izraelite që nga e hëna. //a.i/