TEHERAN – Irani godet grupet kurde në Irakun verior

TEHERAN, 4 mars /ATSH-DPA/- Forcat e armatosura të Iranit sulmuan sot me raketa, pozicionet e grupeve kurde në Irak, raportuan transmetuesit shtetërorë të Iranit, duke cituar Trupat e fuqishme të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
“Selia e grupeve “separatiste” në rajonin autonom kurd të Irakut verior u shënjestrua”, tha IRGC.
Partia Irakiane e Lirisë së Kurdistanit (PAK), një parti e kurdëve iranianë, raportoi një sulm me raketa dhe dronë që shkaktoi disa të vdekur dhe të plagosur.
Presidenti amerikan, Donald Trump zhvilloi dje në mbrëmje një bisedë telefonike me udhëheqësit kurdë në Irak – ku diskutuan hapat e mëtejshëm në luftën kundër Iranit, sipas “Wall Street Journal”, e cila citoi zyrtarë të qeverisë amerikane.
Thuhet se Trump po shqyrton mbështetjen e kurdëve irakianë në luftën kundër Iranit.
Kurdët irakianë kanë stacionuar luftëtarë të shumtë përgjatë kufirit me Iranin fqinj dhe gjithashtu kanë lidhje me pakicën kurde brenda Iranit, e cila ndihet e persekutuar nga Teherani.
Kurdët janë një grup etnik prej rreth 30 milionë njerëzish që jetojnë kryesisht në Irak, Iran, Siri dhe Turqi.
Ata kanë luftuar për dekada për shtetin e tyre dhe janë persekutuar dhe shtypur për një kohë të gjatë si në Irak, Iran dhe Turqi.
Rajoni autonom kurd në Irak u krijua pas rrëzimit të diktatorit Saddam Hussein në vitin 2003.
Qeveria irakiane duket se po përjashton çdo përfshirje në planet e mundshme të Trump, të paktën publikisht.
“Kryeministri Mohammed Shia al-Sudani është plotësisht i përkushtuar ndaj marrëveshjes ekzistuese të sigurisë me Iranin”, tha këshilltari i tij i Sigurisë, Qasim al-Araji. //a.i/