BRUKSEL – Raporti i Këshillit të Evropës: Rriten ndjeshëm kërcënimet ndaj gazetarëve

BRUKSEL, 3 mars /ATSH-DPA/- Kërcënimet ndaj medieve janë rritur ndjeshëm në Evropë gjatë vitit të fundit, sipas një analize të publikuar sot nga Këshilli i Evropës.
Në 46 vendet anëtare, përfshirë në Rusi dhe Bjellorusi, u regjistruan 344 incidente, një rritje prej 29% krahasuar me vitin e kaluar.
Incidentet përfshinin sulme fizike, arrestime dhe mbajtje në paraburgim, si dhe ngacmime dhe intimidim.
Analiza përshkruan një mjedis gjithnjë e më armiqësor për gazetarët.
Raporti u përpilua nga Platforma për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve, e krijuar nga Këshilli i Evropës dhe organizata gazetareske.
Nga incidentet e regjistruara, më të shumtat, nga 90 gjithsej, ishin sulme fizike ndaj gazetarëve, kryesisht nga policia, aktorë politikë dhe protestues gjatë demonstratave.
Numri më i lartë i incidenteve u raportua në Gjeorgji, Serbi dhe Turqi.
Raporti veçon gjithashtu se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është veçanërisht kërcënuese për gazetarët, ku katër përfaqësues mediash u vranë nga sulmet me dronë ruse në vitin 2025.
Në fokus është edhe Hungaria, ku mediet e pavarura përballen me disavantazhe strukturore.
Fondet publike shpërndahen pothuajse ekskluzivisht tek mediet pro-qeveritare, ndërsa pronarë të lidhur me partinë në pushtet po marrin në zotërim gjithnjë e më shumë kompani mediatike, duke ulur pluralizmin e medieve.
Raporti kritikon gjithashtu kontrollin politik mbi mediat publike.
Komisioni Evropian ka nisur procedura kundër Hungarisë për shkelje të rregullave të BE-së mbi lirinë e mediave.
Këshilli i Evropës, me seli në Strasburg, nuk është organ i Bashkimit Evropian, por monitoron shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut në vendet anëtare. //a.i/