KOMENT – Lufta hyn në ditën e katërt, Izraeli godet Teheranin dhe një objekt të dyshuar bërthamor

TEL AVIV, 3 mars /ATSH-DPA/- Izraeli ka ndërmarrë sulme të reja ndaj udhëheqjes iraniane dhe një objekti të dyshuar bërthamor pranë Teheranit, ndërsa lufta me Iranin ka hyrë në ditën e katërt dhe kundërpërgjigjet iraniane vazhdojnë të përhapen në të gjithë Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot në Shtëpinë e Bardhë, gjatë një takimi me kancelarin gjerman Friedrich Merz, se përfshirja e SHBA-së në konflikt bazohej në interesat e sigurisë kombëtare amerikane.
“Unë mund ta kem nxitur Izraelin, por Izraeli ishte gati dhe ne ishim gati”, tha Trump, duke pretenduar se pothuajse të gjitha kapacitetet iraniane janë shkatërruar.
Ushtria amerikane konfirmoi dislokimin e bombarduesve me rreze të gjatë veprimi B-52 në operacionet mbi Iran, ndërsa Izraeli bëri të ditur se forcat ajrore kanë kryer rreth 1,600 fluturime luftarake që nga nisja e sulmeve të përbashkëta të shtunën.
Qindra të vrarë në Iran
Sipas Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, afro 800 persona janë vrarë që nga fillimi i sulmeve.
Organizata njoftoi se 153 qytete janë goditur dhe mbi 3 600 punonjës emergjencash janë angazhuar në terren.
Ndërkohë, organizata norvegjeze e të drejtave të njeriut “Hengaw” raportoi një bilanc shumë më të lartë, mbi 1 500 të vdekur, mes tyre rreth 1 300 pjesëtarë të forcave të armatosura dhe 200 civilë.
Mes viktimave të së shtunës ishte edhe udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili mbante këtë post që prej vitit 1989.
Emërimi i pasuesit të tij pritet të bëhet sapo ta lejojnë rrethanat e konfliktit.
Sulme në zemër të Teheranit dhe në Qom
Forcat ajrore izraelite goditën zyrën presidenciale në Teheran, si dhe objektet ku mblidhet Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare.
Gjithashtu u shënjestrua një ndërtesë që i përket Asamblesë së Ekspertëve – organi klerikal me 88 anëtarë që ka për detyrë zgjedhjen e liderit suprem.
Agjencia iraniane “Tasnim” raportoi sulme ndaj ndërtesës së Asamblesë në qytetin Qom.
Media izraelite, duke cituar burime sigurie, tha se në momentin e sulmit po zhvillohej një votim, por agjencia iraniane “Fars” i hodhi poshtë pretendimet se mund të jetë mbajtur ndonjë mbledhje.
Izraeli njoftoi gjithashtu se ka goditur një objekt pranë Teheranit ku, sipas tij, shkencëtarë iranianë po punonin fshehtas për zhvillimin e armëve bërthamore.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit deklaruan se operacioni eleminoi një komponent kyç të kapacitetit bërthamor të regjimit iranian.
Kundërpërgjigje në disa fronte
Irani vijoi me sulme raketore ndaj Izraelit, ndërsa lëvizja shiite Hezbollah, aleate e Teheranit, goditi për herë të parë zonën e Tel Avivit që nga nisja e luftës.
Sipas transmetuesit izraelit N12, disa raketa ranë në Izraelin qendror, duke shkaktuar plagosjen e të paktën shtatë personave, sipas shërbimit të emergjencës “Magen David Adom”.
Izraeli njoftoi gjithashtu dërgimin e trupave shtesë tokësore në jug të Libanit për t’u përballur me Hezbollah.
Në Gjirin Persik, Katari deklaroi se Irani kishte kaluar “vijat e kuqe”, duke lëshuar mbi 100 raketa balistike drejt territorit të tij që nga e shtuna.
Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan se kanë interceptuar qindra dronë dhe dhjetëra raketa balistike, ndërsa tre persona janë vrarë dhe 68 të tjerë janë plagosur nga mbetjet e predhave.
Ambasadat amerikane në Riad dhe Kuvajt mbeten të mbyllura pas sulmeve iraniane ndaj objekteve amerikane në rajon.
Dy dronë goditën gjatë natës ambasadën e SHBA-së në Riad, ndërsa përfaqësia diplomatike në Bejrut njoftoi mbylljen e përkohshme për arsye sigurie.
Pavarësisht përshkallëzimit, disa vende të rajonit kanë bërë thirrje për rikthim në tryezën e negociatave, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e Lindjes së Mesme. //a.i/