BRUKSEL – SHBA rishikon praninë ushtarake në Evropë, NATO përballet me një fazë të re

BRUKSEL, 18 qershor /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi se SHBA-ja do të kryejë një rishikim të plotë gjashtëmujor të vendosjes së forcave dhe bazave të saj ushtarake në Evropë.
Sipas tij, qëllimi është që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit dhe NATO të kthehet në një aleancë më të balancuar.
Hegseth deklaroi se Uashingtoni synon ta transformojë aleancën në një “NATO 3.0”, duke theksuar se Evropa nuk duhet të mbetet e varur nga SHBA-ja për sigurinë e saj.
Ai paralajmëroi gjithashtu se kontributet financiare amerikane në NATO mund të lidhen me nivelin e shpenzimeve ushtarake të vendeve anëtare.
Sipas tij, vendet që nuk investojnë me urgjencë në mbrojtje nuk mund të presin të njëjtin nivel mbështetjeje financiare nga SHBA-ja.
Njoftimi vjen ndërsa vendet evropiane po përpiqen të kompensojnë reduktimet amerikane në disa kapacitete ajrore dhe detare të NATO-s.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pranoi se Evropa mund të mbulojë një pjesë të këtyre boshllëqeve, por jo të gjitha menjëherë, duke theksuar nevojën për koordinim të ngushtë mes aleatëve.
Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz reagoi me qetësi ndaj planit amerikan, duke thënë se Berlini e kishte parashikuar prej kohësh një reduktim gradual të pranisë ushtarake amerikane në Evropë dhe se kjo është arsyeja pse vendet europiane po rrisin investimet në mbrojtje.
Aktualisht, në Gjermani ndodhen më shumë se 37 mijë ushtarë amerikanë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përpoq të qetësonte aleatët, duke deklaruar se aftësia mbrojtëse e NATO-s mbetet e fortë dhe se vendet evropiane tashmë po marrin masa për të zëvendësuar kapacitetet e reduktuara nga SHBA-ja.
Ai theksoi se ombrella bërthamore e aleancës mbetet e pandryshuar dhe vazhdon të jetë garancia kryesore e sigurisë së vendeve anëtare./ /Ad.Ab./ a.jor.