E Hënë, 2 Nëntor 2026

LONDËR – BM rrit mbështetjen ushtarake për Ukrainën me 150 000 dronë

LONDËR, 18 qershor /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe ka njoftuar paketën më të madhe të ndihmës me dronë për Ukrainën që nga fillimi i luftës.

Sekretari i ri britanik i Mbrojtjes, Dan Jarvis, deklaroi se Londra do t’i dorëzojë Kievit 150 mijë dronë, 350 raketa të mbrojtjes ajrore dhe sisteme radarësh deri në fund të vitit.

Pajisjet do të financohen nga një këst prej 752 milionë paundësh, pjesë e një kredie prej 2,26 miliardë paundësh për Ukrainën, e mbështetur nga fitimet e krijuara nga asetet ruse të sekuestruara.

Dronët e prodhuar në Ukrainë, raketat shumëfunksionale dhe radarët tokësorë synojnë të forcojnë mbrojtjen kundër sulmeve ruse ndaj objektivave civile.

Njoftimi u bë gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s dhe Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në Bruksel, ku Jarvis zhvilloi gjithashtu një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Jarvis theksoi se mbështetja për Ukrainën mbetet një prioritet i rëndësishëm për Britaninë, duke shtuar se paketa e re do të ndihmojë në mbrojtjen e qytetarëve ukrainas nga sulmet me dronë dhe raketa të urdhëruara nga presidenti rus Vladimir Putin.

Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet e saj me dronë ndaj territorit rus. Autoritetet ruse raportuan se një nga sulmet më të mëdha të kryera pranë Moskës shkaktoi zjarr në një rafineri të madhe nafte dhe ndërprerje të përkohshme të fluturimeve në aeroportet e kryeqytetit.

Paketa e re vjen pasi Britania e Madhe kishte dorëzuar tashmë 120 mijë dronë në Ukrainë deri në fund të muajit mars, duke konfirmuar rolin e saj si një nga mbështetëset kryesore ushtarake të Kievit në luftën që vazhdon prej më shumë se katër vitesh./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›