E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen: BE nuk do të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit pa ndryshime reale

BRUKSEL, 15 qershor /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian  Ursula von der Leyen deklaroi sot se Bashkimi Evropian nuk do të heqë apo lehtësojë sanksionet ndaj Iranit pa parë më parë ndryshime konkrete dhe të qëndrueshme në terren.

Duke folur para nisjes së samitit të G7 në Evian-les-Bains, von der Leyen theksoi se sanksionet kanë si qëllim ndryshimin e sjelljes së autoriteteve iraniane dhe se ato mund të hiqen vetëm nëse provohet se këto ndryshime janë reale dhe afatgjata.

Ajo iu përgjigj një pyetjeje lidhur me mundësinë e lehtësimit të sanksioneve pas marrëveshjes kornizë të arritur midis Shtetet e Bashkuara të Amerikës  dhe Iranit, e cila synon t’i japë fund konfliktit mes dy vendeve.

Von der Leyen vuri në dukje se Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Iranit për arsye të ndryshme, përfshirë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Sipas saj, sanksionet që lidhen me aktivitetet bërthamore mund të trajtohen ndryshe nga ato që lidhen me të drejtat e njeriut.

Ndër kërkesat kryesore të Teheranit prej vitesh është heqja e kufizimeve që pengojnë eksportin e naftës së papërpunuar, produkteve të naftës dhe gazit natyror drejt tregut evropian.

Përveç sektorit energjetik, sanksionet prekin edhe fusha të tjera të rëndësishme si tregtia, sistemi bankar dhe transporti. Shumë prej këtyre masave janë vendosur në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për të parandaluar zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani.

Bashkimi Evropian ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj organizatave dhe individëve iranianë që akuzohen për mbështetje të luftës së Rusisë në Ukrainë, si dhe për përfshirje në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Në këto kushte, Brukseli sinjalizon se çdo lehtësim i sanksioneve do të varet nga veprime konkrete dhe jo vetëm nga angazhime politike. /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›