E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen: Groenlanda i përket popullit të saj dhe mund të mbështetet te BE-ja

BRUKSEL, 14 janar /ATSH/- Groenlanda i përket popullit të saj dhe se Bashkimi Evropian respekton plotësisht vullnetin e banorëve të ishullit autonom, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sipas “Reuters”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në një konferencë për shtyp sot ne Bruksel, Von der Leyen theksoi se Groenlanda është pjesë e NATO-s dhe se Aleanca integron interesat e të gjithë aleatëve, ndërsa shtoi se BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë daneze për këtë çështje.

“Groenlanda i përket popullit të saj. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë daneze për këtë çështje. Së dyti, Groenlanda është pjesë e NATO-s dhe ne e dimë që NATO integron interesat e ndryshme të aleatëve të saj”, tha ajo.

“Është e rëndësishme për mua që Groenlanda të dijë se ne e respektojmë vullnetin e popullit të saj”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha sot se ekziston një marrëdhënie e fortë midis BE-së dhe Groenlandës dhe se banorët e Groenlandës mund të mbështeten te ndihma e BE-së.

Ajo shtoi se siguria e rajonit të Arktikut ishte një çështje kyçe për BE-në.

Von der Leyen shprehu mbështetje për Groenlandën, duke theksuar se ishulli Arktik, të cilin presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është zotuar ta pushtojë, i përket popullit të tij.

“Për mua është e rëndësishme që banorët e Groenlandës ta dinë, dhe e dinë këtë me vepra, jo vetëm me fjalë, se ne i respektojmë dëshirat e banorëve të Groenlandës dhe interesat e tyre dhe se ata mund të mbështeten tek ne”, tha ajo në një konferencë për shtyp në Bruksel.

Deklarata e saj vjen ndërsa zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të takohen sot në mbrëmje me ministrat e Jashtëm danezë dhe të Groenlandës në Shtëpinë e Bardhë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›