E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: 801 aplikime në Skemën Kombëtare të Investimeve, synojmë shqyrtimin brenda janarit

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural njoftoi se deri në fund të janarit synon të përmbyllë procesin e shqyrtimit të 801 aplikimeve të fermerëve për Skemën Kombëtare të Investimeve.

Drejtoresha e AZHBR Ardita Kuçi tha për ATSH-në, se procesi i shqyrtimit të aplikimeve ka ecur me ritme të përshpejtuara, ndërsa menjëherë pas përfundimit të shqyrtimit të plotë, aplikantët do të njoftohen për dokumentet shtesë që duhet të dorëzojnë, në mënyrë që të plotësojnë kriteret për përfitimin e mbështetjes financiare.

Ajo theksoi se ky proces ka për qëllim të sigurojë një vlerësim të saktë, transparent dhe të drejtë të aplikimeve, duke mbështetur zhvillimin e fermave të vogla dhe të mesme në të gjithë vendin.

AZHB apelon tek të gjithë fermerët që të jenë të gatshëm për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të agjencisë për të vijuar me procedurat përfundimtare.

Për të mbështetur zhvillimin bujqësor, Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron një fond prej 20 milionë eurosh, për nëntë masa mbështetëse: ndërtimin e serrave diellore të reja për prodhimin e perimeve; luleshtrydheve dhe rrushit të tavolinës; mbjellje të reja në pemë frutore, ullinj, agrume dhe vreshta; rrjeta antibreshër për pemët, agrumet dhe vreshtat ekzistuese; sistemet e ujitjes me pika në pemëtore dhe vreshta; ndërtimi i ambienteve për mbarështimin e blegtorisë dhe shpendëtarisë; mekanizimi dhe modernizimi i fermave bujqësore dhe blegtorale; pajisjet për përpunim dhe paketim për perime, fruta, rrush, verë, ullinj dhe vaj ulliri; investime në agroturizëm dhe koshat dhe rrjetat e peshkimit për akuakulturë.

Kjo skemë ka për qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe fuqizimin e inovacionit në zinxhirin agroushqimor, duke siguruar gjithashtu përmbushjen e standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore. e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›