BRUKSEL – Von der Leyen: Izraeli të heqë dorë nga plani për Gazën

BRUKSEL, 8 gusht /ATSH-AFP-ANSA-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri sot thirrje Izraelit të heqë dorë nga plani i tij për Gazën.
“Qeveria izraelite duhet të heqë dorë nga vendimi e saj për të zgjeruar operacionin e saj ushtarak në Gaza”, tha kreu i Komisionit Evropian në rrjetin social X.
“Një armëpushim është i nevojshëm menjëherë”, pohoi ajo.
”Në të njëjtën kohë, të gjithë pengjet e mbajtura në kushte çnjerëzore duhet të lirohen. Për më tepër, ndihmës humanitare duhet t’i jepet akses i menjëhershëm dhe i papenguar në Gaza për të ofruar atë që nevojitet urgjentisht në terren”, shkruan Von der Leyen.
Kabineti izraelit i sigurisë miratoi sot herët në mëngjes një propozim nga kryeministri Benjamin Netanyahu për të marrë kontrollin ushtarak të qytetit të Gazës dhe për të çarmatosur organizatën militante palestineze Hamas, sipas një deklarate nga zyra e Netanyahut.
Deklarata tha se qeveria miratoi një pushtim nga ushtria izraelite të qytetit të Gazës, në veri të territorit, duke ofruar ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit.
Zyra e Netanyahut tha se qeveria miratoi një plan nga kryeministri i cili do të shihte çarmatimin e Hamasit, kthimin e pengjeve në Izrael, demilitarizimin e Rripit të Gazës dhe kontrollin e sigurisë izraelite mbi territorin në këmbim të përfundimit të luftës, që vazhdon prej më shumë se 22 muajsh.
Plani gjithashtu kërkon që territori të qeveriset nga një “qeveri alternative civile që nuk është Hamasi ose Autoriteti Palestinez”./ /os/