E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

GREQI – Dy turistë të vdekur dhe pezullim i lundrimeve pas erërave të forta në Milos

ATHINË, 8 gusht /ATSH-AFP/ – Dy turistë vietnamezë kanë vdekur në ishullin Milos, në detin Egje, ku erërat e forta ndërprenë lidhjet e trageteve me ishujt gjatë sezonit kulmor turistik, njoftuan zyrtarët e policisë portuale.

“Një burrë dhe një grua u gjetën pa ndjenja në det pranë plazhit në Sarakininiko, në ishullin Milos, dhe u dërguan në qendrën lokale shëndetësore”, tha një zyrtar i policisë portuale greke.

“Ata ishin turistë vietnamezë që ishin pjesë e një grupi pasagjerësh të një anijeje turistike. Gruaja ra në ujë dhe burri me sa duket u përpoq ta shpëtonte atë. Të dy vdiqën”, shtoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi shkakun e aksidentit.

Aksidentet detare dhe mbytjet janë të zakonshme gjatë verës në Greqi, kur shumë turistë vizitojnë ishujt dhe plazhet e Greqisë kontinentale.

Erërat e forta që nga mëngjesi i së premtes, veçanërisht në detin Egje, kanë detyruar disa tragete të mbeten të ankoruara në Pire, një port i madh pranë Athinës.

“Disa tragete nuk ishin në gjendje të niseshin këtë mëngjes për shkak të erërave të forta, veçanërisht ato që shërbejnë ishujt Ciklade dhe Dodekanezë”, theksuan autoritetet./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›