E Diel, 1 Nëntor 2026

BUKURESHT – Rumania drejt një qeverie të re, presidenti Dan emëron Adrian Veștean si kryeministër

BUKURESHT, 14 qershor /ATSH/- Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, ka emëruar sot Adrian Veștean si kandidat për postin e kryeministrit, pasi kandidati i mëparshëm, Eugen Tomac, hoqi dorë nga mandati për shkak të mungesës së mbështetjes parlamentare, raportoi “Reuters”.

Veștea, 52 vjeç, është president i Këshillit të Qarkut të Brașov dhe një figurë e njohur e Partisë Kombëtare Liberale (PNL).

Ai ka shërbyer më parë si ministër i Zhvillimit Rajonal dhe është vlerësuar për përvojën në administratën vendore dhe menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian.

Duke njoftuar vendimin, presidenti Dan deklaroi se një zgjidhje politike është tashmë alternativa më e përshtatshme për vendin, pasi përpjekja për krijimin e një qeverie teknokrate, nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme në parlament.

Veștea ka 10 ditë kohë për të formuar kabinetin qeveritar dhe për të siguruar votëbesimin në parlament.

Nëse dështon, kriza politike që ka paralizuar vendimmarrjen në Rumani, mund të zgjatet edhe më tej.

Rumania ndodhet prej disa javësh në një ngërç politik, pas rrëzimit të qeverisë së ish-kryeministrit, Ilie Bolojan me mocion mosbesimi.

Kriza ka ndikuar negativisht në ekonominë e vendit, duke rrezikuar aksesin në fondet e BE-së, duke ushtruar presion mbi monedhën kombëtare dhe duke shtuar shqetësimet për deficitin buxhetor, një nga më të lartët në Bashkimin Evropian.

Analistët vlerësojnë se zgjedhjet e parakohshme mbeten pak të mundshme, ndërsa sfida kryesore e kryeministrit të emëruar, do të jetë krijimi i një shumice funksionale në parlament, për të garantuar stabilitet politik dhe vazhdimin e kursit pro-evropian të Rumanisë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›