LONDËR – Starmer: Britania e Madhe do të njoftojë planin e mbrojtjes para samitit të NATO-s

LONDËR, 13 qershor /ATSH/- – Kryeministri britanik, Keir Starmer i tha sot sekretarit të pëërgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte se qeveria e tij do të njoftojë zyrtarish, planin e investimeve në mbrojtje, përpara samitit të aleancës, që do të mbahet muajin e ardhshëm në Ankara, sipas një zëdhënësi të “Downing Street”, raportoi “Reuters”.
Në një bisedë telefonike të zhvilluar dje, Starmer dhe Rutte ranë dakord, se aleatët duhet të forcojnë mbrojtjen kolektive dhe të veprojnë më shpejt, për t’iu përgjigjur kërcënimeve të përbashkëta dhe në zhvillim.
Kjo bisedë vjen në një moment presioni politik në rritje ndaj Starmer, pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes John Healey të enjten, i cili e akuzoi kryeministrin se nuk po angazhon burimet e nevojshme, për sigurinë e Britanisë së Madhe përballë kërcënimeve në rritje.
“Starmer informoi sekretarin e përgjithshëm mbi planet për investimet në mbrojtje, duke theksuar angazhimin për t’i publikuar ato përpara samitit të NATO-s në Ankara”, tha zëdhënësi i “Downing Street” në një deklaratë.
Nga ana e tij, Rutte ka mirëpritur rritjen e investimeve të Britanisë së Madhe në mbrojtje, duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm për aleancën dhe për përballimin e kërcënimeve aktuale.
Samiti i NATO-s në Ankara, është planifikuar të mbahet më 7–8 korrik, ndërsa plani britanik i investimeve në mbrojtje, ishte parashikuar të publikohej që vitin e kaluar.
Starmer, gjithashtu ka ritheksuar synimin për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 3% të PBB-së në parlamentin e ardhshëm, duke e vendosur sigurinë kombëtare si prioritet kryesor të qeverisë. / /a.i/