“Babain e vrava aksidentalisht”, Esmerald Balla pretendon se i ati e kërcënoi me armë për lekët

Pak orë pas arrestimit, 30 vjeçari esmerald balla ka mohuar të ishte ai që kërkonte t’i merrte të atit lekët e kursyera në kasafortën e shtëpisë, konflikt që më pas çoi në vrasjen e 62 vjeçarit Enver Balla.
“Ne nga puna disavjeçare kishim një sasi afro 75 milionë lekë të vjetra. Ditën e ngjarjes shkova të merrja lekët, pasi sipërmarrësi i punimeve kërkoi pagesën për një shtëpi tjetër që po bënim. Shkova te vendi për të marrë lekët dhe ta paguaja, por pashë se mungonin. I them babait ‘ku janë lekët? ‘Se di’,- më tha. Kasaforta ishte dëmtuar me mjete të forta dhe ishte hapur mbrapa. Aty nisëm të debatonim. Unë të vras më tha një moment dhe mori pistoletën dhe ma drejtoi.”, tha Esmerald Balla në dëshminë e tij në polici.
30 vjeçari thotë se nuk ka dashur ta vrasë të atin dhe trupin e ka fshehur nga frika se nuk ta besonin në polici se ngjarja ishte aksidentale .
“Në momentin që u përpoqa t’ia hiqja nga dora, pistoleta u shkrep. Kur u shkreh arma dhe pashë që babai ishte qëlluar mu shemb bota. Më kapi paniku. Kisha frikë të denoncoja krimin në polici edhe pse ishte aksident. E mora trupin në makinën dhe kemi një pus diku 1 mijë metra larg shtëpisë. E hodha aty që ta fshihja. Telefonin ia fika, i hoqa kartën dhe e hodha edhe atë në pus”, shtoi më pas ai.
Enver Balla u gjet i pajetë në një pus disa metra larg shtëpisë së tij, 20 ditë pasi i biri e kishte qëlluar për vdekje me armë. autori u ndihmua nga shoku I tij, Edison Brahaj, i cili u arrestua nga policia pasditen e së të mërkurës për moskallëzim krimi.
Policia nisi të hetonte për ngjarjen që kur 30 vjeçari denoncoi të atin si të zhdukur, ndërkohë që kasaforta e prerë me gur fresibël në pjesën e pasme të saj që ishte në dhomën e Esmerald Ballës, ishin indiciet e para të hetuesve se zhdukja e babait të tij nuk ishte rastësore.
Pasi kishte sajuar historinë se i ati kishte ikur me nje grua, e cila i kishte shkuar në Instagram djalit tjetër të familjes, policia vendosi t’i sekuestrojë celularin, dhe u zbuluan prova që zbërthyen ngjarjen./vizionplus.tv